E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 8 mijë aplikime në hipotekë

16/12/2011  Punonjësit në punë edhe në fundjavë dhe për ditë festash. Pritet shtyrja e afatit në 2012-ën

Dy muajt e fundit janë shtuar aplikimet për të përfituar nga ligji i faljes

Mbi 7 730 aplikime janë bërë vetëm dy muajt e fundit për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme në zyrat e hipotekës në Tiranë. Një shifër rekord që ka sjellë edhe një dyndje të madhe në këto sportele. Jo vetëm për qytetarët, por edhe punonjësit e këtyre zyrave nuk kanë ndalur punën, as ditët e fundjavave dhe as ditët e festave. Pjesa më e madhe e aplikimeve të bëra nga qytetarët janë për uljen e taksës nga rivlerësimi i apartamenteve, që janë privatizuar nga familjet në vitet 90. Afati për aplikim është deri në 31 dhjetor të vitit 2011, por ashtu si komuniteti i biznesit edhe qytetarët edhe punonjësit e hipotekës kanë kërkuar shtyrje.

Rivlerësimi i pasurisë

Aplikimet për rivlerësim të pasurisë nga qytetarët ka qenë hallka më rezultative e procesit të faljes fiskale. Sipas ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, çdo qytetar që tregton një pronë paguan si taksë 10% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes. Por me vendimin që qeveria mori për faljen dhe legalizimin e aseteve u mundësua të gjithë qytetarëve që të rivlerësojnë banesat e tyre kundrejt vlerës 1 për qind, pra dhjetë herë më parë. Ky ligj vlen për ato apartamente të privatizuara pas vitit 1991 kundrejt vlera të ulëta prej 30-50 mijë lekësh. Sipas ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, në rast se një qytetar e shet apartamentin për 5 milionë lekë, në ditët e sotme ai duhet të paguajë 10% të kësaj diference, ose rreth 500 mijë lekë. Në rast se zgjedh ta rivlerësojë sot pronën, qytetari do ti paguajë shtetit 50 mije lekë ose 10 herë më pak. Dhe nëse pas rivlerësimit qytetari e shet pronën me vlerën aktuale të tregut, nuk i paguan asnjë detyrim shtetit, sepse diferenca mes çmimit të rivlerësuar dhe atij të shitjes është zero. Për këtë duhet theksuar fakti se çmimet e apartamenteve bazohen te lista referencë për metër katrorë, nga e cila del edhe detyrimi i ri për të paguar. Nga ky proces janë arkëtuar në buxhetin e shtetit mbi 423 milionë lekë, nga të cilat 401 milionë lekë vetëm si tatim nga rivlerësimi i pasurisë. Sidomos muajt e fundit interesi i qytetarëve për legalizimin e aseteve dhe rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka ardhur në rritje.

Shtyrja e afatit

Burime zyrtare nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shprehen se, do të kërkojnë shtyrjen e afatit për aplikim për qytetarët. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi pak ditë më parë se po shqyrtohet mundësia që qytetarët shqiptarë të kenë mundësi, përmes një deklarate individuale, të aplikojnë për rivlerësimin e banesave dhe kapitaleve fikse të tyre deri më 31 dhjetor të këtij viti, pavarësisht nëse është kryer apo jo pagesa e detyrimeve, pasi ato mund të vijojnë të paguhen edhe gjatë vitit në vijim. Pra, pagesa e detyrimeve mund të bëhet edhe në vitin 2012, për të evituar radhët e gjata në sportele. “Ajo që është pjesa më e dukshme e rezultatit të amnistisë ka të bëjë me procesin e rivlerësimit të pasurive fikse të individëve dhe bizneseve, një proces që po çliron dhe besoj se do të jetë një zgjidhje e mirë për tregun e pasurive kapitale në tregun e brendshëm. Shohim që ditët e fundit ka një fluks të madh të individëve për të deklaruar vlerën e re të shtëpisë së tyre, qoftë edhe në bazë të çmimeve referuese që ka harta e vlerave dhe për të përfituar nga mënjanimi i një takse prej 10% të diferencës së çmimit që shtëpia do të ketë në momentin e shitjes me atë që ka pasur në momentin e parë të regjistrimit, të cilat kanë qenë të ulëta”, - është shprehur Bode. Ligji hyri në fuqi në qershor të këtij viti dhe afati i tij përfundon më 31 dhjetor.

Biznesi: Të shtyhet edhe 6 muaj amnistia fiskale

Komuniteti i biznesit i kërkoi të enjten qeverisë shtyrjen e afatit me të paktën 6 muaj të implementimit të procesit të faljes fiskale. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, si dhe ai i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, thanë se shtyrja e afatit të zbatimit të ligjit do të çonte në një përmbushje të procesit. “Dy muajt e fundit është vënë re një fluks i madh sipërmarrësish që po aplikojnë në të gjitha sportelet tatimore dhe hipotekore sidomos për rivlerësimin e kapitaleve fikse", tha Jaka. Kreu i Ndërtuesve tha se duhet më shumë hapësirë kohore për sipërmarrësit që të legalizojnë asetet e tyre. Dy muajt e fundit sipas tij, ka pasur një rritje të fluksit të ndërtuesve për të rivlerësuar pallatet pranë hipotekës. Janë rreth 100 pallate ose rreth 1 mijë apartamente që do ti nënshtrohen rivlerësimit. “Vonesa e krijuar për legalizimin e aseteve pranë zyrave të regjistrimit erdhi nga moskuptimi i ligjit nga publiku, por edhe nga ana e sipërmarrjeve”, - tha Kika. Komuniteti i biznesit do të kërkojë ndryshimin e disa neneve të ligjit lidhur me garancitë nga procesi i vetëdeklarimit. “Biznesi ka probleme veçanërisht me arbitraritetin që ushtrohet nga organet e administratës publike apo nga vendime të paligjshme", - tha Jaka. Sipas tij, kërkesa duhet të merret parasysh pasi sipërmarrja private mbulon rreth 85% të GDP-së dhe numrit të të punësuarve në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›