Italianët mbajnë peng dosjen e Ilir Pajës, plagosi agjentin e policisë
TIRANE - Autoritetet e drejtësisë italiane po mbajnë peng në Tiranë procesin gjyqësor ndaj Ilir Pajës, të akuzuarit për plagosjen e rëndë të një agjenti të policisë kriminale, disa muaj më parë në Tiranë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, pothuajse i ka përfunduar hetimet për plagosje të rëndë ndaj Ilir Pajës, personazh i konsideruar si "ufo" në Itali, për shkak të arratisjeve nga burgjet duke vënë në jetë skenarë gati hollivudiane. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, Krimet e Rënda janë duke përfunduar hetimet e nevojshme ndaj Ilir Pajës, për akuzën e plagosjes së rëndë të agjentit të policisë kriminale me iniciale B.H, i cili ishte vënë në ndjekje të 35-vjeçarit nga Berati, që kërkohej nga policia italiane ndërsa qëndronte në Tiranë. Sipas prokurorisë, për shkak të precedentëve penalë të Ilir Pajës në Itali, dy arratisje spektakolare nga burgjet dhe akuzës për vrasje në Gjermani, dosja penale ndaj tij nuk është dërguar për gjykim. Madje në adresë të autoriteteve italiane që kishin shpallur Ilir Pajën në kërkim, prokuroria shqiptare ka dërguar dy letërporosi. Në të parën kërkohen dosjet penale që bëjnë fjalë për krimet e kryera nga Ilir Paja jashtë Shqipërisë, me qëllim dënimin e tij këtu për këto vepra penale. Por për shkak të vonesës së përgjigjeve të letërporosisë së parë, Prokuroria ka hartuar një të dytë, në të cilën u kërkon autoriteteve italiane të konfirmojnë nëse duan të transferojnë në Tiranë dosjet penale kundër Ilir Pajës. Në këtë letërporosi theksohet se për shkak të afateve hetimore lidhur me dosjen e plagosjes së agjentit të policisë nga Ilir Paja, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfirmim me qëllim dërgimin e dosjes në gjykatë. Në letërporosinë e dytë, akuza shqiptare shprehet se nëse nuk duan të transferojnë në Tiranë dosjet e Ilir Pajës, autoritetet e vendit fqinj mund ta gjykojnë dhe ta dënojnë atë në mungesë për akuzat që kanë ngritur ndaj tij. Personazhi 35-vjeçar nga Berati, qëlloi me armë zjarri agjentin e policisë së Tiranës, që ishte vënë në ndjekje për arrestimin e tij më 6 mars 2008. Ilir Paja ishte arratisur nga burgu në Itali dhe kishte disa ditë që po qëndronte në Tiranë, ku ishte zbuluar nga agjentët e policisë. Ata janë vënë në ndjekje dhe kanë dashur të ndalojnë Ilir Pajën, teksa lëvizte me makinë në zonën pranë vendit të quajtur "Farmacia 10" në Tiranë. Por i shumëkërkuari Ilir Paja u kundërpërgjigj, duke qëlluar me armë oficerin e policisë e më pas duke e goditur edhe me makinë. Pranë skenës së krimit ndodhej edhe një agjent tjetër i policisë, i cili ka qëlluar në drejtim të Ilir Pajës duke e neutralizuar atë. Prokuroria tha se ka prova të forta ndaj 35-vjeçarit, i cili gjithsesi ka mohuar akuzën për plagosjen e agjentit, madje vazhdimisht pretendon se është i sëmurë, por ekspertizat në fakt tregojnë të kundërtën. tr.so
"Ufoja" shqiptar nga Berati
Shqiptari Ilir Paja, është konsideruar si "ufo" nga mediat dhe policia italiane, për shkak të dy arratisjeve nga burgu ku mbahej. Në ditën e 14 shkurtit 2008, pasi u hoq si i sëmurë mendor në gjendje të rëndë, Ilir Paja po transferohej nga burgu i Livornos kur u arratis, duke i shpëtuar policisë italiane. Kjo ishte hera e dytë e arratisjes pasi në vitin 2005 Paja ishte arrestuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, por dy vite më pas, në korrik 2007, përsëri kishte ikur nga burgu.