E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama me aktorë realë

Ermal Hasimja 

Në prill 1204 kryqëzata e katërt, e nisur për të pushtuar Jeruzalemin, përfundoi me pushtimin dhe plaçkitjen e Kostandinopojës. Të krishterët kundër të krishterëve. Preteksti: bizantinët kishin penguar kryqtarët në misionin e tyre dhe madje kishin ndihmuar myslimanët. Arsyeja e vërtetë: kryqtarëve u duhej të paguanin borxhe të pamasa venecianëve për transportin ...drejt vendeve të shenjta. Një nga krimet më të shëmtuara kulturore në historinë e njerëzimit. E megjithatë e kishte një pretekst dhe një përligjje ideologjike. Në 2008, Rama, Meta dhe “aleatët” e tyre kontekstualë nuk lodhen për të gjetur pretekste për t’i hedhur benzinë zjarrit që fryjnë drejt njëri-tjetrit. U mjaftojnë arsyet, të cilat nuk ngurrojnë t’i bëjnë as publike, qoftë haptazi qoftë me zbukurime. Rama nuk e thotë dot hapur që dëshiron të heqë qafe LSI-në si rrezik për ndonjë post kryeministror në të ardhmen, ndërsa Meta nuk thotë dot dhe aq hapur se Rama po përdor metoda lufte ndaj partive të vogla, sepse nuk mund të pranojë se është parti e vogël. Por ama të dy nuk e kanë problem të sulmojnë njëri-tjetrin, duke thënë se tjetri nuk dëshiron dialog dhe bashkëpunim. Dhe e bukura është se të dy kanë të drejtë. As Rama dhe as Meta nuk duan bashkëpunim. E vetmja mënyrë që të arrijnë atë që duan është të heqin qafe njëri-tjetrin. Njësoj si në koalicionin e djathtë, edhe në të majtin nuk ka vend për dy Berishë.
E majta shqiptare mund të quhet e tillë vetëm sepse qëndron në të majtë të Topallit të Kuvend. E djathta gjithashtu, por kjo është çështje tjetër.
Është e zakonshme të shikosh qeveri perëndimore të dridhen dhe madje rrëzohen nga përplasje mes rrymave të ndryshme programore brenda koalicioneve. Mirëpo koncepti i rrymës ka kuptim vetëm nëse rrjedh në një drejtim të vetëm. Një masë uji që rrjedh në të gjithë drejtimet shndërrohet në pellg, gjol apo kënetë në rastin shqiptar. Cili është drejtimi programor i sotëm i PS-së, LSI-së, DS-së, AD-së, PBDNJ-së? Kur kemi dëgjuar për herë të fundit një përplasje programore në gjirin e së majtës? Kur kemi dëgjuar për herë të fundit një debat mbi ofertat alternative përkatëse për problemet e vendit? Debatet nëse duhet sulmuar Berisha tani apo pas dreke, nëse duhet të ketë zgjedhor këtë formë atë një formë tjetër nuk janë debate politike, por debate mbi kalkulime individësh. Mund të thuhet me saktësi se në disa vende përplasjet programore dhe ideologjike mbulojnë apo fshehin përplasje më të thella në luftën për pushtet. Por nuk është e rrallë as e kundërta, madje kjo është normë në vendet me traditë demokratike: një ministër mund të largohet sepse nuk është dakord me programi apo praktikën qeverisëse të koalicionit ku bën pjesë, qoftë edhe duke sakrifikuar postin e tij. Qytetarët shqiptarë nuk kanë shijuar veçse shumë rrallë skenën e dytë. Mund të ndërtojmë edhe një analogji me teatrin. Në një dramë normale, aktori nuk luan vetveten, por përfaqëson një kategori individësh që përputhen me rolin e tij. Në dramën PS-LSI, aktorët luajnë thjesht vetveten. E megjithatë mbetet dramë teatrale për aq kohë sa ka spektatorë. Në rastin e Shqipërisë degjenerimi i luftës politike ka arritur deri aty sa jo vetëm që nuk ka bazë ideologjike të debatit, por as nuk është më e nevojshme që kjo të fshihet. Dhe meqë nuk ka shumë lezet të thuhet gjithçka troç, atëherë debati paraqitet në një trajtë abstrakte e të deshifrueshme vetëm nga analistët. Është e natyrshme pastaj që zanati i analistit kërkon 7-8 orë muhabet kafe në ditë me politikanë e gazetarë, sepse vetëm aty kupton se ç’po ndodh, domethënë kupton se cila është strategjia e X-it për t’u lidhur me Y-n dhe për të hequr qafe Z-në. Edhe qytetari më i painformuar e ka të qartë se debatet e fundit mes Ramës e Metës janë debate individësh dhe jo debate idesh. Kjo është pasojë direkte e gjellës pa shije dhe pa erë të “politikës së re”: një politikë që nuk është as e majtë e as e djathtë, as andej e as këndej, edhe andej edhe këndej. Pavarësisht se është pompuar nga Rama, kjo ide ka qarkulluar këtu shumë më herët. Rama krijoi ambalazhin e ri, por produkti është më i hershëm. Ai përbën gjithashtu ligjërimin bazik të të gjithë elitës politike. Një politikë që në fund të fundit na tregon se nuk kanë rëndësi programet, se qytetarët kanë të njëjtat interesa dhe se këto interesa i di vetëm Rama dhe se në fund të fundit qeverisja është thjesht çështje e zëvendësimit të një burri të keq me një burrë të mirë. Ky burrë i mirë do të përfaqësojë atë që ai mendon se duhet përfaqësuar, domethënë jo qytetarë me emra, mbiemra, halle e interesa, por qytetarin n, që e njeh vetëm ai dhe që eventualisht merr formën që do ai.  Problemi më i madh nuk është se po ndodh kjo që po ndodh, por se shumicës u duket normale. Sporti i preferuar i mediave sot është analiza performative e politikanëve dhe parashikimi i përfundimit qoftë me logjikën e bastit, pra çobançe, qoftë me teoritë e lojës. Kjo madje mundëson edhe krahasimin e performancës së supozuar të udhëheqësve në të ardhmen. Si përfundim, në thelb lajmi mbi debatet si ai PS-LSI dhe të tjerë nuk ndryshon nga lajmet e sportit. Madje, do të ishte të futeshin në faqet sportive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›