E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimet me vajzën, gruaja e Fatmir Haklajt padi vjehrrit

 

Fatos Mahmutaj

Anila Haklaj, bashkëshortja e Fatmir Haklajt kërkon vajzën në Gjykatën e Tiranës. Fëmija ka lindur 5 ditë pas vrasjes së babait dhe tashmë jeton me gjyshërit diku në vendet skandinave, ndërsa e ëma ka vite që nuk e ka parë. Duke mos pasur asnjë rrugë tjetër zgjidhjeje, e veja e ish të fortit të Tropojës i është drejtuar Gjykatës së kryeqytetit me një padi kundër vjehrrit dhe vjehrrës, Muharrem dhe Fatime Haklaj, objekt i së cilës është: "Kthimi i fëmijës së mitur Fatmira Haklaj, i datëlindjes 9 nëntor 1999". Pas procedurave të shortit elektronik padia i është dorëzuar gjyqtares Rezarta Vigani për ta shqyrtuar, ndërsa ka qenë e pamundur të zhvillohej seanca përgatitore e çështjes pasi gjyshërit e vajzës, të paditur në këtë proces jetojnë jashtë vendit, mendohet në Suedi. Seanca e djeshme, e para e procesit, ishte caktuar të zhvillohej në orën 11:00, kur e veja e Fatmir Haklajt u paraqit në gjykatë, ndërsa pretendoi para gjykatëses së çështjes se nuk kishte mundur të saktësonte adresat e banimit të vjehrrit dhe vjehrrës, të cilët mendohet se jetojnë në Suedi bashkë me disa anëtarë të tjerë të familjes.
Procesi
Pasi u njoh me këtë fakt, gjykata vendosi t'i drejtohej Ministrisë së Drejtësisë, zyrës për ndihmë të ndërsjellë juridike, për të saktësuar adresat e të paditurve sipas të dhënave që ka shënuar në kërkesë-padi Anila Haklaj. Pas kësaj u vendos që seanca e radhës të zhvillohet mesditën e 10 tetorit, kohë kjo e mjaftueshme për Ministrinë e Drejtësisë për të dërguar fletëthirrjen e gjyqit me letër-porosi në adresën që ka dhënë paditësja. Ndërkohë vetë paditësja ka shënuar në kërkesë-padi se banon në Tiranë, në një banesë në rrugën "Bajram Curri". Ndërsa burime nga procesi pohojnë se paditësja Anila Haklaj paraqitet vetë në seancat gjyqësore, pasi nuk ka marrë avokat mbrojtës. Ende nuk dihet sesi do procedojë gjykata, pasi ligjet shqiptare parashikojnë që në raste të tilla të pyetet vetë fëmija, në prani të psikologëve dhe familjarëve për të dhënë pëlqimin ku do të jetojë.
Procedurat
Pas dërgimit të njoftimeve jashtë vendit dhe firmosjes së tyre nga prindërit e Fatmir Haklajt, pritet që gjykata të nisë procesin gjyqësor. Nëse njoftimet nuk arrijnë të firmosen prej tyre, dhe kthehen në Tiranë atëherë procesi do të zhvillohet në mungesë të palës së paditur. Por në këtë rast edhe nëse gjykata urdhëron që vajza të kthehet për të jetuar me nënën, sërish vendimi mbetet i pa ekzekutuar, pasi fëmija jeton në një vend tjetër dhe ende shteti shqiptar nuk disponon një adresë ku t'i kontaktojë këta. Ndërkohë, burime nga procesi pohojë gjithashtu se gjatë kohës që është depozituar padia në gjykatë veç paditëses, nuk është interesuar askush për të nga pala e paditur, edhe pse dihet se familjarë të Haklajve jetojnë në kryeqytet.

Vajza lindi 5 ditë pas vdekjes së të atit
Vajza, tashmë 9-vjeçare, Fatmira Haklaj lindi pesë ditë pas vdekjes së të atit, Fatmir Haklaj, duke mos mundur ta shihte kurrë atë. Mësohet se në përkujtim të të vrarit familjarët e tij i vunë vajzës emrin e të atit. Ndërsa pak kohë më vonë gjyshërit Muharrem dhe Fatime Haklaj, pas vrasjes së katër djemve janë larguar jashtë vendit, duke marrë me vete edhe vajzën e djalit të vdekur. Kurse e ëma e saj mbeti në Tiranë, ku sipas padisë që ka depozituar nëë gjykatë pohon se, banon në rrugën "Bajram Curri".

Fatmir Haklaj u vra në atentat, kur po shkonte te Jaho Salihi

TIRANE - Fatmir Haklaj, është vrarë mbrëmjen e 4 nëntorit 1999, teksa ka lëvizur së bashku me Jaho Mulosmanin dhe Sami Kërnajën nga banesa e motrës së madhe në Dojan, drejt kullës së Mulosmanëve. Ata i kanë dalë fshatit nga sipër dhe i janë afruar kullës, duke ecur në distancë me njëri-tjetrin, për të mos rënë të tre në pritë në të njëjtën kohë. Sapo i janë afruar vendit ku ndodhet banesa e braktisur, Jaho, Fatmiri dhe Sami Kërnaja, kanë menduar se e kaluan rrezikun dhe u bashkuan me njëri-tjetrin. Por pikërisht kur i janë afruar kullës, rreth orës 19:15, ranë viktimë e një zjarri me armë automatike të hapur nga disa persona, që ishin pozicionuar vetëm pak metra nga shtegu. Sami Kërnaja gjeti vdekjen e menjëhershme, pasi u godit me një plumb në ballë, ndërsa Fatmir Haklaj u qëllua pas shpine dhe në brinjë, pa mundur të reagojë. Jaho Mulosmani i ka shpëtuar breshërisë së parë vetëm me dy plumba në ije dhe në krahun e majtë. Ai u shtri në tokë dhe i pozicionuar pas një guri, hapi zjarr në drejtim të autorëve të pritës. Bataret e armëve janë dëgjuar deri në Bajram Curr. Autorët e pritës janë tërhequr me shpejtësi për të dalë nga zona e ekspozuar e fshatit dhe kanë marrë drejtimin e fshatit Vatoc, për të kaluar më pas urën e Bujanit. Më pas, rezultoi se atentatorët ishin pesë vetë mes të cilëve, u dyshua se ndodheshin edhe dy efektivë të forcave speciale.                      f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›