E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët tjetër letër Oketës: Ja korrupsioni

“Në tenderin 2.5 milionë euro të aparaturave në Spitalin Ushtarak ka korrupsion të pastër”. 

ZIRINA LLAMBRO

Ky është reagimi i firmës italiane “Fortune S.R.L”, një nga pjesëmarrëset në këtë tender. Duke marrë shkas nga një deklaratë e ministrit Oketa, dy ditë më parë në një emision televiziv firma ka reaguar sërish. “Nga sa ministri ka pohuar, në dorë të tij ka mbërritur vetëm një letër italisht, gjë që sipas tij ishte e çuditshme. Në fakt kjo ka qenë letra që drejtori i përgjithshëm (italian) ka nisur në adresë të ministrit për të argumentuar ankesat për shkelje me procedurat tenderiale”, pohuan përfaqësuesit shqiptarë të firmës. Ndërkaq, në adresë të ministrit të Mbrojtjes është dërguar një tjetër letër, ku i kërkohet një takim për të bërë sqarimet përkatëse. Ndërkohë “Fortune S.R.L” bën publike edhe letrën në shqip, që i është dërguar shefit të kabinetit të ministrit menjëherë pasi është kërkuar përkthimi në shqip i saj. Gazeta bën publike pjesë nga të dy letrat. “I nderuar Z. Oketa, ndoqëm me interes debatin Tuaj në një emision televiziv dy ditë më parë dhe u çuditëm pa masë për prononcimin që ju dhatë në lidhje me tenderin e traumatologjisë në S.U.Q.U., (Spitali Universitar Qendror i Ushtrisë). Me pak fjalë Ju thatë, që Ju kishte ardhur një letër italisht gjë që ishte e çuditshme për Ju. Por firma është italiane dhe gjuha e lejuar e tenderit është vetëm italishtja. Ju e kërkuat letrën në shqip dhe në emision u prononcuat që nuk Ju ka ardhur. Ne jo vetëm që Jua sollëm letrën në shqip, por për të qenë sa më të sigurt lajmëruam edhe me sms shefin Tuaj të kabinetit, që letra është në protokoll. E ç`të bëjmë ne më tepër. Më vonë Ju thatë që firma ka parregullsi juridike: Cila është parregullsia? Që Drejtoria e S.U.Q.U., na dha vetëm një letër për mbikëqyrjen, ndërsa firmës konkurrente i dha 5 (pesë) fletë, ashtu siç e donte rregulli, të cilat ajo i futi në zarfe të ndryshme? Duket qartë që Ju kanë keqinformuar, pasi thatë që ne nuk plotësonim    specifikimet teknike”, thuhet në letër. Sipas firmës, nga 20 firma që tërhoqën dokumentet, vetëm njëra doli e rregullt dhe kjo në lote (aparatura) ku 100 mijë euro mall ofrohen me 380 mijë euro. “Kjo pasi dikush e ka siguruar firmën që nuk do të ketë konkurrencë? A nuk bie në sy që akoma Drejtoria e S.U.Q.U., nuk na ka dhënë përgjigje? Jeni i ftuar në një debat qoftë edhe publik që ta kuptoni që korrupsioni është ulur këmbëkryq”, citohet në letër. Ndërsa në letrën dërguar shefit të kabinetit Besnik Dervishi, vihet në dijeni ministria se specifikimet teknike janë ndryshuar për të skualifikuar firmat pjesëmarrëse në mënyrë të padrejtë. “Për mendimin tonë tenderi është i manipuluar dhe ato aparate që duan të  blejnë janë në tre-katërfishin e vlerës, duke ngrënë paratë e aparaturave të tjera. Një tjetër argument është që sipas ligjit të Komunitetit Evropian, ai që përgatit specifikimet e tenderit, nuk mund të marrë pjesë në komisionin e Vlerësimit të Ofertave, ndërsa Drejtoria e S.U.Q.U., ka vendosur në komision të njëjtë doktorë që përgatitën specifikimet teknike si p.sh: Dr. Fatos Olldashi, i cili organizoi të gjitha specifikimet”, theksohet në letrën dërguar shefit të kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Aparaturat mjekësore
Tavolina për sallat e operacionit me vlerë 350 mijë euro, mikroskop elektronik me vlerë 400 mijë euro, llamba ndriçimi me vlerë 180 mijë euro, por edhe pajisje sterilizuese me vlerë 320 mijë euro, janë disa prej zërave kryesorë të tenderit të aparaturave. Këto aparatura janë te domosdoshme për Spitalin Ushtarak e sidomos për qendrën e traumës. Kjo qendër është e vetmja në të gjithë vendin që mbulon me shërbim mjekësor personat që dëmtohen nga aksidentet, plagosjet apo tragjeditë natyrore. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›