E Shtunë, 31 Tetor 2026

PNUD-INSTAT, projekt për matjen e standardit të jetesës

PNUD-i dhe Instituti Kombëtar i Statistikave firmosën dje një projekt që do të lejojë INSTAT-in të kryejë anketimin mbi matjen e standardit të jetesës për Shqipërinë. 

Të dhënat e mbledhura nga ky anketim do të shërbejnë si baza për politikat e vendimmarrjen, dhe do të mundësojë monitorimin e programeve ekonomike dhe shoqërore të qeverisë, të cilat mbështeten mbi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Një nga rezultatet më të rëndësishme të anketimit do të jetë matja e varfërisë në vend. Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-i, Ines Nurja, tha se “duke u bazuar mbi eksperiencën e përftuar nga dy anketimet e mëparshme, INSTAT është duke u përqendruar mbi cilësinë e lartë të të dhënave”. “Vazhdimësia e anketimit mbi matjen dhe standardin e jetesës është një element i rëndësishëm në mbështetjen e politikave, përfshirë të dhënat e reja mbi varfërinë dhe përfshirjen sociale”, tha ajo. Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett, tha se “projekte të ndryshme përbrenda programit ‘Një OKB në Shqipëri’, i referohen rëndësisë së të dhënave dhe kapacitetit analitik statistikor për të siguruar që Qeveria të ketë të drejtën të monitorojë dhe vlerësojë programet e saj dhe të përforcojë vendimmarrjen e bazuar mbi evidenca”. Projekti është financuar nga Fondi i Koherencës “Një OKB”, i cili deri tashmë ka marrë kontribute nga Norvegjia, Spanja dhe Zvicra – të gjithë përkrahës të reformave të OKB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›