E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH, privatizimi mbyllet në shtator

Procesi i privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes (OSSH) pritet të përfundojë në muajin shtator. 

 “Privatizimi i shpërndarjes së energjisë ka hyrë në fazën përfundimtare”, ka deklaruar për mediat ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Sipas tij, në fillim të muajit shtator do të përmbyllet gara, ku kompanitë pjesëmarrëse do të paraqesin ofertat e tyre. Në mes të muajit qershor parashikohet të mbyllet faza e parakualifikimit të kompanive të interesuara për të blerë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë (OSSH). Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi kriteret për investitorët që do marrin pjesë në tenderin e privatizimit të operatorit të shpërndarjes. Sipas kushteve të vëna nga qeveria, kompanitë që duan të marrin pjesë në tender duhet të kenë një eksperiencë jo më pak se 3 vjet në menaxhimin dhe operimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, nga 110 kV deri në 0.4 kV dhe jo më pak se 20 mijë km. Gjithashtu ato duhet të kenë eksperiencë jo më pak se dy vjet në një treg energjie të liberalizuar. Një tjetër kriter që duhet të plotësojnë investitorët që duan të marrin pjesë në tender, është edhe vlera financiare e kompanisë së tyre. Sipas kritereve të miratuara nga qeveria, këta investitorë për tre vitet e fundit duhet të kenë pasur një vlerë neto jo më pak se 1 miliard euro. Gjithashtu investitorët përpara se të marrin pjesë në tender, duhet të garantojnë se nuk janë në proces falimentimi apo likuidimi dhe se nuk ndiqet për mashtrime, korrupsion apo për pastrim parash. Ndërkohë të gjitha kërkesat për përzgjedhjen e kandidatëve duhet të vërtetohen nëpërmjet certifikatave zyrtare të lëshuara nga autoritetet përkatëse.

Privatizimi i aksioneve
Gati 76 për qind e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të shiten, ku një pjesë e të ardhurave do të shkojnë për punonjësit që preken nga reforma dhe një pjesë për punonjësit aktualë. Lidhur me pronësinë e aksioneve të OSSH-së, në projektvendim përcaktohet se ajo transferohet nga kompania KESH te Ministria e Energjetikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›