Italiani mashtrim prej 15 mijë eurosh
DURRES/ OERD ULQINI
Një sipërmarrës italian është shpallur në kërkim nga policia e Durrësit, pasi ka vjedhur përmes mashtrimit 15 mijë euro. Shtetasi Viti Ludoviko, 50 vjeç i lindur në Bari, por rezident në Torino, njëkohësisht pronar i kompanisë "L.V.L. eksport-import" me qendër në Kuçovë, dyshohet se ka vjedhur përmes mashtrimit bankën italiane "Intesa San Paolo". Barezi e ka kryer goditjen e sofistikuar në degën bankare të Durrësit, qytet në të cilin është paraqitur me një dokument të falsifikuar të filialit të "Intesa San Paolo" të provincës Avigliana në Itali. Hetuesit e antikrimit financiar kanë arritur të zbardhin tërësisht skemën e vjedhjes. Duke pretenduar se në filialin e Aviglianës në Itali të "Intesa San Paolo" atij i ishin derdhur 450 mijë euro në llogarinë bankare, sipërmarrësi ka trokitur në Durrës, ku pas një bisede të gjatë në sportel me nëpunësit dhe titullarin e bankës ka arritur të tërheqë shumën e konsiderueshme. Sipas hetuesve të antikrimit ekonomik, Ludoviko ka mashtruar drejtorin e bankës "Intesa San Paolo Bank", dega Durrës. Ngjarja daton 2 shkurtin e vitit 2009 dhe pasi janë krahasuar të dhënat kompjuterike mes filialit të Durrësit dhe atij të Aviglianës të "Intesa San Paolo", është zbardhur fakti se dokumentacioni ka qenë i rremë. Letra për të cilën policia e Durrësit dyshon se është e falsifikuar, thotë se nga llogaria e Viti Ludoviko në Itali ishin xhiruar për në llogarinë e tij në Shqipëri një shumë prej 450 mijë eurosh. Ndonëse letra në pamje të parë dukej autentike, policia ka arritur të vërtetojë se ajo nuk ishte e regjistruar në "data base"-in e bankës italiane. Duket se për të mos ngjallur dyshime italiani ka tërhequr në Durrës vetëm një pjesë simbolike të kësaj shume marramendëse dhe më pas është zhdukur pa lënë gjurmë. Hetuesit kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale si dokumentin e lëshuar nga banka në Itali, ashtu dhe të gjithë dokumentacionin e tërheqjes së lekëve nga ky shtetas në Durrës. Policia e qytetit bregdetar njofton se po punohet për kapjen e shtetasit Viti Ludoviko dhe për këtë kanë nisur kontaktet me policinë e Kuçovës. Ndërkohë është hyrë në kontakt edhe me policinë italiane, në mënyrë që të zbardhet fakti se si është mundur të sigurohet një faturë e tillë e rreme në filialin e Aviglianës. Materialet iu kaluan Prokurorisë për veprën penale të mashtrimit të parashikuar nga neni 143/2 dhe të falsifikimit të dokumenteve të parashikuar nga neni 186 i K.Penal.