E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi familjarët e tragjedisë, burg "agjentit të Interpolit"

 

LEZHE - Gjykata e Lezhës vendosi të lërë në burg "policin e Interpolit", Gjin Ndreca, (Gjon Marku). Ai u arrestua të premten e kaluar pasi ishte prezantuar si punonjës i Interpolit, duke mashtruar familjarët e të humburve të tragjedisë së 9 janarit. Duke përfituar nga gjendja emocionale të tyre, sipas policisë, ai kishte përfituar prej tyre nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë, duke iu premtuar gjetjen e eshtrave të të humburve. Gjatë seancës së djeshme nuk ishte i pranishëm në sallë asnjë familjar i tij apo të afërm të viktimave të 9 janarit. Ndreca është mbrojtur nga një avokat të cilin e kishte vendosur vetë gjykata. Ai ka mohuar gjatë gjithë procesit akuzën e prokurorisë për mashtrimin e disa familjarëve të tragjedisë. "Nuk jam unë mashtruesi dhe nuk kam pasur kontakte me personat që më kanë akuzuar", u shpreh Ndreca në gjykatë. Teksa ka mohuar implikimin e tij në mashtrimin e personave, nuk kanë munguar as batutat drejtuar togës së shoqërimit. "Kur të dal nga burgu, do të dal me gradën kolonel dhe do ju kem vartës", u shpreh ai, duke aluduar më pas edhe me masën e dënimit që do t'i japë gjykata: burgim të përjetshëm. I pandehuri është mbrojtur edhe përsa i përket granatës që iu gjet në momentin e arrestimit. Sipas tij, mjetin luftarak ia kishte marrë disa fëmijëve që po luanin me të. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale edhe një pasaportë me emrin Nikolin Ndoj, karta e identitetit të një vajze nga Kallmeti, disa telefona, si dhe një fletore me adresa, të cilat i mbante me vete në një çantë dore. Sipas akuzës, Gjin Ndreca (Gjon Marku) nga fshati Spiten, komuna Zejmen në Lezhë akuzohet për veprën penale të "vjedhjes me anë të mashtrimit". Ndreca është prezantuar si polic i Interpolit me një emër të rremë, të quajtur Gjon Marku, duke përfituar nga familjarët e qarkut të Lezhës, të cilët kanë humbur fëmijët në tragjedinë e 9 janarit. Ai ka kontaktuar me ta duke kërkuar për çdo rast deri në 100 mijë lekë, në këmbim të gjetjes dhe transportit të eshtrave të fëmijëve të tyre. Sigurimi i provave është bërë duke përdorur metoda speciale nga ana e policisë dhe prokurorisë. Blutë ranë në gjurmët e Ndrecës, pasi njëri nga familjarët e viktimave të tragjedisë trokiti në dyert e policisë duke kërkuar Gjon Markun, punonjësin e policisë së Interpolit. Kjo ka hasur në dyshimet e policisë, e cila nisi hetimet duke dokumentuar më pas mashtrimin e Ndrecës.                              r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›