Iu gjet një automatik i fshehur, ndalohet 44-vjeçari
Shkodër – Mbajtja e një automatiku të fshehur i ka kushtuar prangat e policisë. Ngjarja i ka ndodhur 44-vjeçarit Paulin Preçi, lindur dhe banues në fshatin Nenshatë të Shkodrës, i cili deri dje nuk mund ta kishte menduar se ndoshta mbajtja e automatikut do ta kthente në një person të arrestuar. Sipas të dhënave të policisë, arrestimi i tij u bë pasi pas një kontrolli të ushtruar në lokalin e tij privat, në po këtë fshat, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56. Prokuroria do të nisë hetimet ndaj Paulin Preçit për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.
Bie nga tarraca e garazhit, gjen menjëherë vdekjen
Krujë – Pas plagosjes së të moshuarës ndërsa ndente rrobat në tarracën e një shtëpie, qyteti i Krujës është tronditur nga një tjetër lajm i ngjashëm, i cili, për fat të keq, ka rezultuar fatal, me pasojë humbjen e jetës. Burimet policore të këtij qyteti bëjnë të ditur se në vendin e quajtur “Derede”, 58-vjeçari Gëzim Goga ka rënë nga tarraca e garazhit të tij në një lartësi prej 3 metrash. Si pasojë e kësaj rënieje ai ka marrë plagë të rënda në kokë, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nga hetimet e para të policisë ka rezultuar se ky shtetas është rrëzuar aksidentalisht.
2 Prill 2009