E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën bizneset, policia identifikon si autorë dy minorenë



Tiranë – Specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve ndaj Biznesit kanë identifikuar autorët e disa vjedhjeve të fundit ndaj bizneseve në kryeqytet. Sipas burimeve të policisë, bëhet fjalë për vjedhjen e supermarketit “Igea”, në rrugën “Ymer Kurti”, ku janë marrë një sasi e konsiderueshme paketash cigare dhe produkte mishi. Autori i veprës penale në fjalë, 15-vjeçari F. D., banues në Tiranë, është proceduar edhe më parë për vjedhje, ndërsa po punohet për kapjen e tij. Mbrëmë, po nga ky operacion, u krye arrestimi i 15–vjetarit E. H., lindur dhe banues në Tiranë, aktualisht me masë sigurie “arrest shtëpie” dhënë nga Gjykata e Rrethit. Arrestimi i tij u bë sepse ndaj tij është depozituar një kallëzim, ku është deklaruar se ai ka vjedhur dyqanin farmaci në pronësi të një shtetaseje. Po ashtu, ky seksion identifikoi edhe autorin e vjedhjes së dyqaneve ushqimore dhe veshmbathje në Paskuqan, ku janë vjedhur sasi të konsiderueshme mallrash. Ai është 20-vjeçari Elson Daci, banues në Bathore.

U gjendet drogë gjatë kontrollit fizik, arrestohen nga policia

Tiranë – Forcat e Policisë së kryeqytetit kanë arrestuar në flagrancë dy persona, pasi gjatë një kontrolli fizik u gjet në trupat e tyre 5.2 gr lëndë narkotike. Sipas të dhënave, dy të ndaluarit janë 18-vjeçari Edison Çaushllari, banues në Tiranë dhe Erando Mersini, 20 vjeç, banues po në Tiranë. Të dy u kapën në afërsi të rrugës “Bardhok Biba”, ku pas një kontrolli fizik të ushtruar iu gjet një sasi prej 5.2 gramësh lëndë e dyshuar narkotike. Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një aparat celular “Nokia”. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›