Thereska: ”Transplantimi i dytë do të kryhet këtë muaj”
Një javë pas transplantimit të parë të veshkës në QSUT, pritet që brenda muajit prill të realizohet i dyti. Shefi i Pavijonit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, shprehet se edhe operacioni i dytë do të bëhet me ndihmën e mjekëve italianë, ndërkohë që i treti do të realizohet vetëm nga ata shqiptarë. Operacionet do të jenë falas dhe këto ditë pritet që të aprovohen në listën e medikamenteve falas edhe disa barna që përdoren nga personat që kanë bërë transplantim. “Besoj se brenda muajit prill duhet të vijnë mjekët e palës italiane sepse duhet të jenë edhe ata. Te operacioni i tretë ata nuk do ndërhyjnë, vetëm do të shikojnë. Më pas është totalisht ekipi shqiptar, që për mua është plotësisht i përgatitur. Për punë ditësh medikamentet e transplantimit do të jenë falas”,- u shpreh Thereska.
2 Prill 2009