E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, bie nga skela, vdes 45-vjeçari



SHKODËR - Një 45-vjeçar ka humbur jetën teksa ka rënë nga skela në një ndërtesë trekatëshe ku dhe punonte në qytetin e Shkodrës. Ngjarja është shënuar mesditën e djeshme, në afërsi të tregut të Zdralës, kur Bedrush Hoxha, me profesion murator, nga Golemi i Shkodrës, si rezultat i humbjes së kontrollit ka rënë nga skela në momentin që ka qenë duke riparuar dhe katin e tretë të ndërtesës. 45-vjeçari, baba i tre fëmijëve, ndërroi jetë pak minuta pas ngjarjes teksa po transportohej drejt Spitalit të Shkodrës. Policia në vendngjarje ka konstatuar se Hoxha ka pësuar vdekje aksidentale, ndërsa ka shoqëruar dhe një person si dëshmitar kryesor, shok me 45-vjeçarin.

Kosovari nuk pranon të bëjë testin e alkoolit, ndalohet nga policia

Durrës – Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 40-vjeçarit Agron Krasniqi, lindur në Prizren dhe banues në Tiranë. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se procedimi penal ka filluar për arsye se në superstradën Fushë-Krujë – Laç, në vendin e quajtur Derven, duke drejtuar mjetin e tij “Renault” me targë 471 KS 211 I, në gjendje të dehur, ai nuk u është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor duke refuzuar të japë dokumentacionin e mjetit dhe të bënte testin e alkoolit. Materialet e përgatitura do t’i kalojnë Prokurorisë së Krujës për veprën penale të “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe ”drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa dëshmi aftësie”, të parashikuar nga nenet 291 e 242 të Kodit Penal.

I vjedhin 100 mijë lekë në banesë dhe një celular, pronari kryen denoncimin

Durrës - Në Lagjen Nr. 17/1 të Durrësit, nga persona të paidentifikuar është vjedhur banesa në pronësi të Agron Shehut, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se 41-vjeçari në deklarimet e tij shpjegon se i kanë vjedhur një shumë parash rreth 100 mijë lekë, si dhe një aparat telefoni celular i markës “Nokia”. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›