Ivanov: I respektoj shqiptarët

Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, ka deklaruar se deri tani ka treguar se vepron si president i tërë qytetarëve, duke pasur parasysh edhe shqiptarët.
Në një intervistë për gazetën maqedonase “Dnevnik”, Ivanov ka deklaruar se gjatë fushatës elektorale, si dhe ditën e zgjedhjeve, ai ka pasur mbështetjen e një numri të madh shqiptarësh.
“Vlerësoj se me punën time kam treguar se veproj si president i të gjithë qytetarëve. Unë jam krenar me modelin e plotësimit të demokracisë multi-etnike, bashkëjetesës dhe tolerancës, përmes Marrëveshjes së Ohrit, e cila legjitimoi traditën tonë shekullore”, ka theksuar Ivanov.
Ai bën të ditur se është pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet që shënohet Marrëveshja e Ohrit, takime që promovojnë dialogun ndëretnike dhe ndërfetare, si dhe demonstrimi përmes aktiviteteve të politikës së jashtme dhe rajonale, me presidentët e rajonit, siç janë takimet me kolegët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Presidenti Ivanov gjithashtu ka vlerësuar edhe tërheqjen nga bojkoti i PDSH-së, duke u shprehur se kjo parti është mirë që si pjesë e komunitetit shqiptar të përfaqësojë interesat e tyre.