E Hënë, 2 Nëntor 2026

Izolohen nga bora, pa drita e pa ushqim

01/03/2005  Fshati Janjar i Sarandës, i harruar

SARANDE - Moti i keq i këtyre ditëve është i pranishëm edhe në jug të vendit me pasojat e tij në krijimin e problemeve në qarkullimin normal në disa rrugë që lidhin Sarandën me disa fshatra të saj.

Sipas njoftimeve të marra, mësohet se Janjari, një fshat, i cili ndodhet mëse 60 km larg nga Saranda, vuan mungesën e lëvizjes së automjeteve në drejtim të Sarandës dhe Greqisë, sepse ky fshat ndodhet në kufi me shtetin fqinj jugor.

Sipas banorëve, mësohet se që prej 20 ditësh në këtë fshat nuk është parë asnjë lloj automjeti për nevojat e komunitetit, të cilat janë të shumta në këto ditë të ftohta dimri të pazakonta për jugun e vendit tonë.

Moslëvizja e automjeteve ka çuar në lëvizjen me kafshë ngarkese në drejtim të rrugës nacionale Konispol-Sarandë për të lëvizur në drejtim të qytetit jonian për shqetësimet shëndetësore dhe problemet për furnizimin e popullatës me ushqime dhe produkte të tjera të domosdoshme për jetesën e banorëve të izoluar.

Ky nuk është problemi i vetëm që shqetëson komunitetin.

Të tjera shqetësime të këtij fshati ngelen të trashëguara që prej disa vitesh, duke mos gjetur zgjidhje nga pushteti lokal dhe ai qendror.

Energjia elektrike në fshatin Janjar është e pranishme vetëm 5 orë në ditë nga ndërprerjet e shumta.

Ndërkohë në këtë zonë mungon sinjali i televizioneve dhe radiove shqiptare, duke u ndjekur me një interes të madh të gjitha programet e mediave greke, të pranishme me një sinjal tepër të fortë dhe të qartë jo vetëm në këtë rajon, por në të gjithë bregdetin deri në Qafën e Llogorasë. Premtimet për vendosjen e repetitorëve kanë ngelur në fushata elektorale, duke avulluar me largimin e depudetëve nga takimet zgjedhore në të gjitha fshatrat e Komunës së Markatit, ku bën pjesë dhe fshati Janjar.

Drejtuesit e kësaj komune thonë se nuk kanë mundësi të realizojnë investime nga të ardhurat e tyre minimale dhe janë në pritje të investiumeve nga pushteti qendror, investime të cilat kanë munguar, duke e lënë Janjarin një fshat pa zot në kufirin Shqipëri-Greqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›