E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izolohet gjysma e Shqipërisë, ndërpritet mësimi

Në shumë zona, trashësia e dëborës ka arritur në 1 metër, ndërsa në zona më të ulëta diçka më pak. Mësimi është ndërprerë në Qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Pukës.

Kështu, sipas të dhënave më të fundit, në Qarkun e Kukësit janë bllokuara thuajse të gjitha komunat, ku në qytet trashësia e dëborës ka arritur tashmë në 1 metër.

Reshjet e dëborës vazhdojnë të bien me intensitet, çka do të shkaktojë paralizimin e mëtejshëm të qarkullimit. Autostrada Durrës-Kukës, aktualisht është e hapur, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Drejtori i Emergjenca Civile, Alfred Olli, tha se të gjitha mjetet për pastrimin e dëborës dhe hapjen e rrugëve në qytetin e Kukësit, por përdoren për të mbajtur të hapur këtë rrugë.

Has - Edhe në rajonin e Hasit, thuajse të gjitha rrugët janë të izoluara, ndërsa mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat. “Trashësia e dëborës në qytetin e Krumës arrin në mbi 50 centimetra, ndërsa në zonat rurale mbi një metër. Duke përjashtuar fshatrat që ndodhen pranë akseve rrugore Krumë – Kukës  dhe Krumë – Qafë Prush,  ku lëvizja e mjeteve është njëkalimshe dhe i lidhin me qytetin  e Krumës, fshatrat e tjerë janë krejtësisht të izoluar”, thotë nënprefekti i rrethit të Hasit, Ismet Jaku.

Tashmë janë krejtësisht të izoluar 25 fshatra nga 32 fshatra të  rrethit të Hasit. “Pavarësisht situatës së rënduar deri tani nuk kemi patur asnjë rast  emergjent, ndonëse janë marrë të gjitha masat për përballimin e çdo lloj situate”,  shton Jaku.

Dibër- Në Qarkun e Dibrës, situata është e njëjtë, ku tashmë të gjitha komunat janë të izoluara. Në këtë Qark, e izoluar është aksi nacional Peshkopi-Burrel, në vendin e quajtur Qafa e Buallit. Mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat si në fshatra dhe në qytet. Deri më tani, në qytetin e Peshkopisë, trashësia e dëborës ka arritur në 60 cm.

Shkodër - Reshje të dendura dëbore ka pasur edhe në qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth. Ndërkohë, ne komunat malore të qarkut, rikthimi i reshjeve të dëborës, ka ndikuar në përkeqësimin e situatës. 

Burime pranë shtabit të emergjencës civile në prefekturën e Shkodrës, bëjnë të ditur për se si rezultat i reshjeve të dendura si dhe uljes së temperaturave, janë bllokuar sërishmi zonat e thella malore të Vermoshit në rrethin e Malësisë së Madhe, të Dukagjinit në rrethin e Shkodrës.

Ndërkohë, janë vënë në vështirësi serioze edhe akset rrugore nacionale. Strukturat e shtabit të emergjencës janë shpërndarë të gjithë në terren duke marrë masat e duhura për marrjen nën kontroll të situatës.

Pukë -Si pasojë e reshjeve të mëdha të dëborës, në të gjithë rajonin e Pukës, është ndërprerë procesi mësimor. Të gjitha fshatrat e kësaj zone janë të izoluara nga dëbora.

Gjirokastër- Edhe në Qarkun e Gjirokastrës, situata është e njëjtë, ku ka pasur reshje të dendura dëbore. Qafa e Muzinës është e bllokuar dhe po të tilla janë edhe komunat malore të Gjirokastrës dhe Përmetit.  /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-02-02 09:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›