E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli: Jo bisedime me Sirinë

Tel Aviv -Ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman deklaroi sot se “Izraeli nuk pranon të angazhohet në bisedime paqeje me Sirinë, sepse ky vend mbështet "organizatat terroriste”. "Duhet të shohim realitetin. Deri më sot, në Siri ndodhet shtabi i përgjithshëm i organizatave terroriste si Hamasi dhe Xhihadi", deklaroi Lieberman për të përditshmen gjermane "Berliner Zeitung".

"Siria mbështet Hezbollahun dhe trafikun e armëve me Libanin e Jugut. Siria mbështet programin bërthamor iranian. Për këtë arsye nuk mund të shoh tek Siria një partner të vërtetë për një marrëveshje të çfarëdo lloji", shtoi ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me mënyrën për të bërë paqe me Damaskun.

Për sa i takon konfliktit izraelito-palestinez, ministri theksoi se "procesi politik nuk është çelësi i vetëm për një zgjidhje të qëndrueshme me rrugë paqësore". "Fillimisht duhet të arrihet siguria, begatia e palestinezëve dhe stabiliteti dhe vetëm pas kësaj mund të arrijmë një zgjidhje politike", deklaroi Lieberman.

Në një intervistë tjetër të publikuar dje në "Jerusalem Post", Lieberman, anëtar i qeverisë së Benjamin Netanjahut që mori zyrtarisht detyrën më 1 prill, deklaroi se "nuk po sheh asnjë shenjë të vullnetit të mirë tek sirianët" dhe theksoi se nuk do të kishte zgjidhje të konfliktit me palestinezët pa zgjidhjen e çështjes iraniane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›