E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli injoron thirrjet për pushimzjarr

Izraeli ka refuzuar Rezolutën
e OKB-së, në të cilën bëhej
thirrje për një pushimzjarri
në Gaza, duke vazhduar
sulmet tokësore ndaj palestinezëve
të Gazës. Edhe gjatë
ditës së djeshme, tanket izraelite
janë futur në thellësi të enklavës
palestineze. Numri i civilëve të
vdekur vazhdon të shtohet me
qindra, pavarësisht akuzave dhe
presioneve për ndalimin e kësaj
masakre nga ana e Organizatës së
Kombeve të Bashkuara, Kryqit të
Kuq, qeverive arabe dhe evropiane.
Diplomatët janë shprehur të
alarmuar edhe në lidhje me dështimin
e bisedimeve për planin e
paqes të propozuar nga Egjipti.
Kryeministri hebre, Olmert, refuzoi
Rezolutën e Këshillit të
Sigurimit, duke e cilësuar "një
armëpushim të menjëhershëm
dhe të gjatë" si "jo të efektshëm".
Ai e bëri deklaratën ndërsa ndodhej
në mbledhjen e kabinetit
të mbrojtjes, ku po diskutohej
për dërgimin e përforcimeve
të tjera në Gaza. Dje, avionët
izraelitë kanë bombarduar periferitë
e qytetit të Gazës. Sipas
disa mjekëve palestinezë, tanket,
nga ana tjetër, kanë shkatërruar
shtëpi e ndërtesa në veri të Gazës,
duke vrarë, ndër të tjerë, edhe 6
anëtarë të së njëjtës familje, të
gjithë civilë. Pavarësisht dëmeve
në njerëz, Olmert ka deklaruar
se ushtria e tij do ta vazhdojë
misionin deri në fund. Edhe administrata
në ikje e Presidentit
Bush po e mbështet deri në fund
sulmin, duke deklaruar se "situata
nuk do të përmirësohet derisa
Hamasi të reshtë së hedhuri raketa
ndaj Izraelit". Vetëm gjatë natës
së kaluar Izraeli ka qëlluar 50
objektivë dhe ka lënë dhjetëra civilë
të vrarë. Për sa i përket Hamasit,
zëdhënësi i tij ka bërë të ditur
se organizata po shqyrton Rezolutën
e OKB-së, por janë shprehur
të zhgënjyer që nuk u është
marrë mendimi për hartimin e
dokumentit. Hamasi kërkon që
çdo marrëveshje pushimzjarri të
përfshijë përfundimin e bllokadës
ekonomike ndaj Gazës dhe
tërheqjen e trupave izraelite nga
territori. Ndërsa kërkesat kyçe të
Izraelit kanë të bëjnë, së pari me
ndalimin e hedhjes së raketave
nga ana e Hamasit në territorin
hebre dhe garancitë ndërkombëtare
për ndalimin e armatosjes
së Hamasit përmes tuneleve në
kufirin me Egjiptin. Bisedimet
për planin egjiptian do të vazhdojnë,
por nuk dihet ende se kur
do të rifillojnë. Iniciativa egjiptiane
është sponsorizuar edhe
nga Presidenti francez, Sarkozi.
Megjithatë, sipas disa analistëve,
për momentin iniciativa e paqes
ndodhet në një pikë të vdekur.
Plani ka të bëjë, ndër të tjera,
edhe me vendosjen e trupave
të huaj 15 kilometra në kufirin e
Gazës për të ndaluar trafikimin
e armëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›