Izraeli kërkon lirimin e spiunit Johnathan Pollard

Zyra e kryeministrit izraelit i dërgoi një letër presidentit amerikan, Barack Obama, ku i kërkohet lirimi i spiunit të dënuar përjetë, Jonathan Pollard, për arsye humanitare.
Kjo shënoi kërkesën e parë zyrtare që Izraeli bën për lirimin e Pollardit. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1987 si spiun i Izraelit në SHBA. Aktualisht mbahet i burgosur në një burg në Karolinën e Veriut.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, mbajti një fjalim në Knesset, ku edhe lexoi letrën. “Edhe pse Izraeli në asnjë mënyrë nuk i kishte të drejtuara përpjekjet e inteligjencës kundër SHBA-së, veprimet e tij ishin të gabuara dhe krejtësisht të papranueshme’, theksoi Netanjahu.
“Si Pollard ashtu edhe qeveria e Izraelit vazhdimisht kanë shprehur keqardhje për këto veprime dhe Izraeli do të vazhdojë të respektojë angazhimin e tij se veprime të tilla të gabuara nuk do të përsëriten”, shtoi ai.
Pollard u akuza se i kishte kaluar informacione të klasifikuara Izraelit. Benjamin Netanyahu vazhdimisht ka kërkuar lirimin e tij. Në vitin 2002 ai e vizitoi Pollardin në burg.