Izraeli konsideron armëpushim të përkohshëm

Izraeli tha se po konsideron një propozim të diplomatëve evropianë për një pushim zjarri 48 orësh të fushatës ajrore kundër militantëve të Hamasit në Gaza. Autoritetet izraelite thanë se idea ishte midis disa opsioneve të tjera të diskutuara nga kabineti të martën. Njoftimet thonë se çdo pauzë duhet të shoqërohet me kërcënim për dërgim të trupave tokësore izraelite nëse zjarri i raketave palestineze në Izrael vazhdonte.
Kanë filluar përpjekje të bashkërenduara diplomatike për t'i dhënë fund katër ditë sulmeve ajrore izraelite në Gaza dhe raketave palestineze kundër Izraelit. Kuarteti i Lindjes së mesme i përbërë nga OKB, SHBA, Rusi dhe BE ka bërë thirrje për një pushim zjarri të menjëhershëm. Një plan i paraqitur më herët nga Franca ishte që të kishte një zjarrpushim 48 orësh për të lejuar furnizimet humanitare. Një propozim tjetër nga Egjipti dhe një seri vendesh të tjera arabe i bën thirrje Izraelit të rihapë kufirin me Gazën. Zv/zëdhënësja e OKB, Marie Okabe lexoi një komunikatë të grupit të kuartetit: "Drejtuesit e kuartetit patën një lidhje videfonike në 30 dhjetor 2008 mbi situatën në Gazë. Ata bënë thirrje për pushim zjarri të menjëhershëm që duhet respektuar tërësisht. Ata i bënë thirrje palëve të adresojnë nevojat ekonomike dhe humanitare në Gaza dhe të marrë masa të nevojshme për të siguruar kushte për furnizime humanitare. Ata ranë dakord se ishte e nevojshme që izraelitët dhe palestinezët të vazhdojnë në rrugën e paqes. Ata kanë si qëllim të vazhdojnë të mbajnë kontakte." Vazhdojnë sulmet izraelite dhe palestineze
Megjithë përpjekjet diplomatike, të dy palët kanë vazhduar sulmet e tyre pa pushim. Izraeli vazhdoi të godasë objekte të Hamasit duke thënë se do të ndërmarrë çfarëdo veprimi të nevojshëm për të mbrojtur shtetasit e vet nga sulmet me raketa. Sipas palestinezëve më shumë se 380 vetë janë vrarë që me fillimin e sulmeve të shtunën. Hamasi është përgjigjur me raketa. Katër izraelitë kanë humbur jetën gjithashtu.