Siguria në Kosovë, Sejdiu takon gjeneralin Gay
Prishtinë - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka zhvilluar sot një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giuseppe Emilio Gay. Temë e bisedës ishte mbështetja e KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Zyra e presidentit kumton se Sejdiu në këtë takim shprehu interesimin e tij për organizimin sa më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) duke theksuar nevojën e përshpejtimit të procesit. Ndërkohë, gjeneral Gay shprehu edhe njëherë zotimin e tij dhe të KFOR-it për ruajtjen e sigurisë së vendit dhe mbështetjen për gjithë procesin e organizimit të FSK-së.