E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli ndërprenë aktivitetet në Jerusalem

Qeveria e Izraelit de fakto ka ngrirë aktivitetet për ndërtimin e kolonive të reja në Jerusalemin Lindor, përkundër insistimit publik të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se këto aktivitete nuk do të ndalën, si pasojë e trysnisë së ushtruar nga SHBA-ja, kanë njoftuar dje zyrtarë të qytetit të Jerusalemit.

Kjo ndërprerje e aktiviteteve me gjasë ndërlidhet me nevojën e Netanyahut për t’i dhënë fund grindjes serioze mes Izraelit dhe SHBA-së, për shkak të ndërtimit të kolonive hebrenje në tokat, të cilat palestinezët i kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm dhe për të rikthyer palestinezët në tavolinën e bisedimeve.

Sidoqoftë, mbeti e paqartë se a bëhet këtu fjalë për një moratorium dhe nuk dihet se për sa kohë do të zgjatë kjo ndërprerje e aktiviteteve.

Palestinezët e pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të tyre. Këtë javë, palestinezët do të kërkojnë përkrahjen e Ligës Arabe, për pjesëmarrje në negociatat indirekte me Izraelin.

Zyrtari i Këshillit të Jerusalemit, Meir Turujamen, i cili është anëtar i Komitetit të Ministrisë së Brendshme, i cili miraton planet për ndërtim, theksoi se ky Komitet nuk është takuar që nga koha e vizitës në Izrael të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›