E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore, pedagogët sot ndërpresin mësimin

VLORE- Një peticion i firmosur nga 160 pedagogë të universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës, drejtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj (nga 170 që ka gjithsej ky institucion) për mosplotësimin e 3 kërkesave të publikuar muaj më parë, paralajmëron se të enjten (sot) do të ndërpritet mësimi në një kohë pa afat, deri në plotësimin e tyre. "Kërkesat tona në Tiranë janë dërguar muaj më parë, ndërkohë që mosdhënia e përgjigjes nga Ministria e Arsimit ka sjellë nënshkrimin e peticionit dhe paralajmërimin për bojkotimin e plotë të mësimit. Peticioni drejtuar në Tiranë ka firmën e 170 pedagogëve, nga 180 që ka universiteti jonë", - pohon Eustrat Zhupa, zëvendësrektor i universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë.Mësohet se peticioni ka gjithsej tri kërkesa kryesore, të cilat ndonëse janë kërkuar zyrtarisht prej muajsh, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucioni më i lartë i arsimit në vend. Burime për "GSH" thonë se, bojkoti ka nisur që prej ditës së mërkurë nga një pjesë e pedagogëve nënshkrues të peticionit, ndërkohë që pjesa tjetër pritet t'i bashkohet ditën e nesërme. Muaj më parë, trupa akademike e universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit promovimin e stafit akademik (të drejtën ligjore të dhënies së titullit "Profesor i asociuar"), programe të reja(kërkuar që në mars 2009), si dhe ambiente e vende të reja pune. Pedagogët thonë se përshkallëzimi i protestës së tyre lidhet me neglizhencën e pajustifikuar të drejtuesve më të lartë në vend.(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›