E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF në prag të krizës, shorti zgjidhja e vetme

Federata Shqiptare e Futbollit mund të kalojë në krizë në rast se në shortin e Europianit 2012, që hidhet më 7 shkurt, Shqipërisë nuk do t'i bjerë një skuadër e madhe. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani e thotë hapur se kombëtarja duhet të bjerë në një grup me ndonjë nga ekipet elitare të Evropës, ndryshe financat mund të jenë në rrezik. Në fakt, bëhet fjalë për të paratë e marra nga e drejta televizive, që pavarësisht sponsorëve, kanë qenë të ardhurat kryesore për FSHF-në në vitet e fundit. "Shpresojmë shumë në një short të mirë, pasi dihet tashmë që financat tona varen nga një gjë e tillë, - sqaron Prodani. - Kemi shpenzuar shumë, pasi kemi bërë goxha investime dhe jemi shumë të varur financiarisht nga shorti i Europianit". Në fakt, në Federatë presin ekipe si Gjermania, Spanja, Anglia apo Italia, të drejtat televizive të të cilave janë nga më të lartat në botë. Edhe këtë herë Gjermania mbetet kundërshtarja e preferuar në grup. Kjo, jo për forcën e skuadrës së Joakim Lëv, por për shkak se bëhet fjalë për të ardhurat maksimale të përfituara nga shitja e të drejtës së transmetimit. Herën e fundit, në eliminatoret e Botërorit 2010, FSHF mundi të arkëtojë deri në 3.8 milionë euro, një shumë që erdhi kryesisht nga e drejta televizive e Suedisë dhe Portugalisë, skuadrat më të forta të grupit, të paktën në letër. Ndërkohë, në rast se Shqipëria do të ketë në grup kombëtaren gjermane, të preferuarën e të gjithëve, do të marrë automatikisht 3 milionë euro, pa llogaritur këtu skuadrat e tjera të grupit. E DREJTA TVEdhe këtë herë pritet që e drejta televizive e ndeshjet e kombëtares t'i shitet kompanisë gjermane "Sport Five". Sipas Prodanit, një gjë e tillë do të bëhet vetëm pas shortit dhe e drejta televizive do të shitet si paketë, jo e ndarë sipas ndeshjeve. "Rrezikojmë shumë të bëjmë të kundërtën, - sqaroi sekretari i Federatës. - Nëse nuk na bie një short i mirë? Sigurisht që kjo do të çojë në reduktim të shpenzimeve. Në këtë vit që kaloi kemi bërë shumë investime", shtoi ai. Ashtu si shumë institucione të tjera duket se edhe Federata nuk është duke kaluar një moment të mirë financiar. Duke qenë viti i mbajtjes së Asamblesë Zgjedhore, investimet kanë qenë më të shumta, sidomos përsa i përket ndriçimit të stadiumeve. I pyetur përse sistemi i ndriçimit nuk ka përfunduar ende në disa prej këtyre stadiumeve, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së sqaroi se kjo vonesë ka ardhur për shkak se bashkitë, që janë partnere në realizimin e këtij projekti, ende nuk kanë dhënë gjysmën e shumës së investimeve, që duhet ta kishin bërë tashmë. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›