Izraeli po përfiton nga revolucionet

*Çfarë mendojnë në Izrael njerëzit në lidhje me revolucionet që po ndodhin në botën arabe?
Segev: Që nga themelimi i shtetit të Izraelit, gjithmonë e kemi marrë për të mirëqenë faktin se jemi më të mirë se arabët. Por, tani po vëmë re se ata nuk janë aspak njerëz të prapambetur. Krejt befasisht po përballemi me një situatë të re; me faktin që bota arabe është e aftë që të mendojë po aq demokratikisht sa edhe ne, ndoshta edhe më shumë. Ku na çon një gjë e tillë? Në fund të fundit ne supozohej që të ishim vendi i vetëm demokratik në të gjithë Lindjen e Mesme.
*A duhet Izraeli që të krahasojë arritjet e veta me ato të fqinjëve në të ardhmen?
Segev: Po. Dhe ndërsa shohim demokracinë që të vijë në botën arabe, shohim nga ana tjetër se demokracia është duke u dobësuar në Izrael. Ne kemi një ministër të Jashtëm, partia e të cilit mund të krahasohet me lëvizjet e ekstremit të djathtë të Evropës. Demokracia është në rrezik në Izrael dhe ky kërcënim është më i madh se çdo kërcënim i jashtëm.
*Në Izrael ngjarjet shihen më shumë me shqetësim sesa me entuziazëm...
Segev: Si edhe shumë izraelitë, edhe unë di shumë pak në lidhje me arabët. Ne i konsiderojmë thjesht si një kërcënim. Nuk kemi absolutisht përvojë me një vend demokratik në afërsi me ne. A është e mirë kjo apo e keqe për ne? Jam i bindur që demokracia nuk është një gjë e mirë për vendet arabe, por edhe për vetë Izraelin.
*Janë të shumtë ata që e shohin të përfunduar paqen me Egjiptin. Çfarë mendoni ju në lidhje me këtë?
Segev: Mos harroni që traktatet e paqes me Egjiptin dhe më pas edhe me Jordaninë i kanë mbijetuar disa provave: dy luftërave me Libanin, dy kryengritjeve palestineze, sulmit në Gaza, vrasjes së Presidentit egjiptian, Sadat. Paqja e brishtë siç është ka qenë gjithsesi.
*Shumë egjiptianë e urrejnë Izraelin dhe një nga gjërat e para të lidershipit të ri në këtë vend ishte që të lejonin anijet luftarake iraniane të kalonin në Kanalin e Suezit.
Segev: Mendoj se ishte interesante të shihje Izraelin që të mos luante asnjë rol në këtë revolucion. Njerëzit në sheshin e Kajros nuk e kishin me Izraelin, por me qeverinë e tyre, së cilës i kërkonin të drejtat themelore. Kjo është një shenjë e mirë. Ne (izraelitët) gjithmonë mendojmë se jemi në qendër të botës. Është e vërtetë se nuk kemi bërë paqe me Jordaninë dhe Egjiptin, por me dy burra shteti, me Presidentin Sadat dhe me Mbretin Husein. Është e mundur që të na duhet një ristrukturim i paqes dhe i marrëdhënieve tona mes shteteve dhe popujve.
*Mes njerëzve të Kajros ishte edhe Vëllazëria Myslimane, një grup islamik e politik i fuqishëm, që mund të bëhet pjesë e qeverisë në Egjipt. A ju frikëson një perspektivë e tillë?
Segev: Po, pak, por nuk shoh se si mund të jenë më të rrezikshëm në një demokraci sesa në një diktaturë. Në fakt është e kundërta. Ajo së cilës i druhem është mosardhja e një demokracie të vërtetë në Egjipt. Kush e thotë se njerëzit janë aq sa duhet të fortë sa për të vlerësuar veten? A është në të vërtetë shpirti demokratik aq i fuqishëm?
*Në ç’mënyrë duhet që të ndryshojë politika e jashtme e Izraelit tani? A duhet që të rinisin bisedimet e paqes, për shembull me Sirinë?
Segev: Ne mund të kishim bërë paqe me Sirinë e diktatorit Al Bashir kohë më parë. Por, ajo nuk ndodhi, sepse kryeministri Netanyahu nuk dëshiron që të heqë dorë nga Rrafshnalta e Golanit.
*A do ta shtojnë këto revolucione edhe trysninë për dhënien fund të pushtimit të Bregut Perëndimor?
Segev: Nëse rajoni do të bëhej demokratik në të vërtetë, atëherë kjo pjesë do të ishte antidemokratike. Është e vështirë që të imagjinosh se një botë arabe demokratike do ta toleronte një situatë të tillë. Netanyahu ngulmon në pozicionin e tij të vjetër: ai nuk e do një shtet palestinez dhe nuk dëshiron që të heqë dorë nga ngujimet dhe territoret e pushtuara. Trysnia nga jashtë është e vetmja mënyrë për t’i ndryshuar gjërat.
*A mendoni që do të ketë një revoltë edhe në gjirin e palestinezëve? Ka pasur ndërkohë, disa demonstrata në Ramallah, ku pakënaqësia me liderët aktualë, shumë autoritarë, po rritet nga dita në ditë.
Segev: Unë shpresoj që palestinezët të mos bëjnë gabimin e rinisjes së një intifade të re. Ata janë përpjekur dy herë më parë për një gjë të tillë dhe kjo ka qenë e keqe për të dyja palët. Por, nuk mendoj se forcat në këtë vend mund të organizojnë dhe drejtojnë një kryengritje. Njerëzit që mund ta bënin një gjë të tillë në territoret e pushtuara janë në burgjet e Izraelit. Dhe çfarë do të shpresonin ata që të arrinin? Në fund të fundit, ata janë shumë të dobët për t’i dhënë fund pushtimit izraelit.
*Nëse Jordania do të përfshihej nga një revolucion, a do të përbënte ky fakt një rrezik të drejtpërdrejtë për Izraelin?
Segev: Jo. Madje e kundërta e kësaj. Nëse monarkia e korruptuar jordaneze do të binte, ky do të ishte një rast ideal për të zgjidhur konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve, për shkak se Bregu Perëndimor dhe Jordania, në një rast të tillë, mund të bashkoheshin. Ndërkohë në Jordani ka edhe një shumicë jordaneze dhe ka vend për të gjithë që të jetojnë në paqe dhe harmoni. Ky do të ishte revolucioni më i mirë që do të kisha imagjinuar ndonjëherë.