E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli vazhdon ofensivën detare: Asnjë anije në Gaza



Operacioni izraelit kundër flotës me ndihma humanitare, të drejtuar për në Gaza, vazhdon. Gjatë kësaj kohe, ushtria izraelite ka arrestuar 480 aktivistë, ndërsa 48 të tjerë janë dërguar në aeroportin ndërkombëtar të Ben Gurion, për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës. Sipas radios publike lokale, arrestimet janë grupuar në burgun e Ashdod. Ndërkohë në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit, që zgjati 12 orë, u dënua vrasja e civilëve dhe u kërkua kryerja e një hetimi të paanshëm mbi zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe që Izraeli të lerë aktivistët të lirë e ndihmat humanitare të drejtohen për në Gaza. Izraeli e konsideroi hipokrit dhe të nxituar dënimin që i bëri OKB aksionit ushtarak të tij. Ban Ki Mun i bëri thirrje Izraelit të heqë sa më shpejt bllokadën në Gaza. Edhe NATO zhvilloi të hënën një takim të jashtëzakonshëm. Aleanca ka kërkuar nga Izraeli që të lirojë menjëherë të ndaluarit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, ka kërkuar që Izraeli të lirojë menjëherë civilët dhe anijet e përfshira në sulmin e flotës që dërgonte ndihmat humanitare në Gaza. Ndërsa Parisi zyrtar ka kërkuar lirimin e francezëve të ndaluar. Kryeministri, Fransua Fillon ka deklaruar para asamblesë kombëtare se Parisi kërkon “lirimin e menjëhershëm” të nëntë francezëve dhe të gjithë civilëve që ndodheshin në bordin e anijeve. Ndërkohë gjashtë aktivistët italianë janë mirë dhe do të duhen tri ditë që ata të kthehen në vendin e tyre. Gjashtë grekët e parë të kthyer nga Izraeli kanë mbërritur dje paradite në Athinë. Presidenti grek, Karolios Papulias e cilësoi të paligjshëm dhe jashtë së drejtës ndërkombëtare sulmin izraelit kundër flotës ndërkombëtare, që transportonte ndihma humanitare drejt Gazës. Papulias u shpreh se veprimi i trupave komando të Izraelit “përbën destabilizim të procesit të paqes dhe krijon atmosferë të ndezur për tensione tepër të larta në rajon”. Ndërkohë, presidenti egjiptian Hosni Mubarak ka urdhëruar hapjen e kalimit të Rafah me Rripin e Gazës, pika e vetme e kalimit që nuk kontrollohet nga Izraeli, për kalimin e ndihmave humanitare dhe të sëmurëve. Lideri libian, Muammar Gheddafi i ka dërguar një telegram Presidentit amerikan, Barak Obama, ku proteston kundër Izraelit dhe mbështetjes amerikane. Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad akuzoi Izraelin se po planifikon të sulmojë Gazën gjë që do të pasohet “me një furtunë murtaje në zonën hebreje, që do të çrrënjoset”. Një tjetër anije paqësore po mbërrin në Gaza, ajo është irlandeze. Zëdhënësi i Qeverisë izraelite ka deklaruar se do ta ndalojnë atë. Ndërkohë Ministria e Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se Fuad Ramiqi, shqiptari nga Kosova, që gjendej në një nga anijet e sulmuara prej izraelitëve, është gjallë. Edhe tre shqiptaro-maqedonasit janë mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›