Turqi, ish-ministri dhe 21 të tjerë akuza për grusht shteti
Ish-ministri turk i Drejtësisë, Seyfi Oktay bashkë me 21 persona të tjerë, janë arrestuar dje në Turqi mbi akuzat e organizimit të një grushti shteti. Hetimi kishte nisur mbi “Ergenekon”, një organizatë sekrete nacionaliste, e cila thuhet se ka tentuar të rrëzojë Qeverinë e Kryeministrit, Rexhep Tayip Erdogan. Sipas mediave turke, forcat e policisë kanë kontrolluar gjatë operacionit 15 banesa në Ankara dhe Stamboll. Përpjekjet për grusht shteti në Turqi janë të shpeshta, ku vetëm pak kohë më parë u arrestuan disa dhjetëra persona, mes të cilëve edhe ish-krerë të lartë të ushtrisë.