Prifti kontribuon privatisht për qendrën sociale
FIER - Hapet e para qendër shërbimesh për personat me aftësi të kufizuar në qytetin e Fierit. Organizata “Dyert e së Ardhmes”, (DEA), nën kujdesin e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, përfunduan me sukses realizimin e projektit të ngritjes së një Qendre Shërbimesh për Personat me Aftësi të Kufizuara. Ky projekt sipas themeluesve ka si qëllim të mundësojë zhvillim, edukim, arsimim, nxitje profesionale, autonomi të personave me aftësi të kufizuara, nëpërmjet kësaj qendre zhvillimi. “Ishte një projekt i cili mu servir nga organizata DEA dhe jam treguar i gatshëm të ndihmojë me të gjitha kapacitetet e mundshme. Fakti që në Fier janë rreth 900 fëmijë me probleme dhe aftësi të kufizuara më bëri të mendoj që ne duhet t’i japim mundësi kësaj qendre të çelet. Të ndihmojmë si fillim rreth 30-40 prej tyre. është një ide dhe mision shumë i mirë dhe një fillim i mbarë. Kisha mundësi financiare dhe i dhashë edhe një kontribut personal kësaj iniciative për të marrë këto ambiente dhe një staf të kualifikuar”, u shpreh Prifti, sipas të cilit ndihma e tij nuk do të mungojë asnjëherë. Qendra është hapur ditën e 1 qershorit dhe është bërë thirrje për angazhimin dhe të biznesit për të ndihmuar këtë kategori. Si fazë të parë të këtij projekti në Qendren DEA do të ofrohen shërbime vetëm për fëmijë të moshave 3-12 vjeç me perspektivë që në të ardhmen projekti të përfshijë të gjitha grupmoshat e kësaj kategorie personash. Në rrethin e Fierit rezultojnë 3858 persona me aftësi të kufizuara. m.r