E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga "bombat Gërdec", në gjyq tregtari

Prokuroria e Tiranës fillon penalizimet e para për tregtarët që shesin naftë dhe gaz në vendet publike. Pas rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe masave të Inspektoratit Teknik në Ministrinë e Energjetikës, akuza kryeqytetase dërgon një subjekt privat në gjykatë me akuzën e "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Nën akuzë është vënë shtetasi Alban Deda, i cili akuzohet se tregtonte gaz në mënyrë të paligjshme në zonën e njësisë bashkiake numër 4 në Tiranë, në rrugën "Ali Demi". Stacioni i tregtimit të gazit, sipas akuzës, ndodhet pranë postës së policisë dhe nga hetimet ka rezultuar se tregtonte lëndë djegëse në kundërshtim me ligjet në fuqi. Kaq ka mjaftuar që ndaj subjektit, por edhe të dhjetëra subjekteve të tjera, të fillojë procedimi penal. Hetimi ka marrë shkas nga tragjedia e Gërdecit, ku mungesa e shkeljes së rregullave teknike ndaj lëndëve djegëse dhe radioaktive ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe si pasojë humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Për tregtimin e naftës dhe gazit jashtë parametrave teknikë dhe ligjorë, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka denoncuar disa muaj më parë qindra subjekte private për shkelje të rregullave të tregtimit.
Sipas Dobjanit, 1 milion banorët e Qarkut të Tiranës ishin në "luftë", jo me "armiq", por me zonat me rrezikshmëri të lartë, pasi janë montuar ligjërisht "bomba" që mund të shpërthejnë në çdo moment. Në të gjithë kryeqytetin janë evidentuar dhjetëra pika të mbushjes së bombolave të gazit, si dhe stacione të mbushjes së karburanteve që nuk kanë parametrat e sigurisë. Minifabrikat shpeshherë ndodhen në katin e parë të pallateve apo të shtëpive të banimit, çka përbën një rrezik të përhershëm potencial shpërthimi. Pas tragjedisë së Gërdecit, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i kërkoi Prefekturës së Tiranës që të evidentonte të gjitha pikat e rrezikshme në kryeqytet. Vetëm disa muaj më parë është kthyer një përgjigje ku detajohen të gjitha zonat e nxehta në qarkun më të madh të vendit, të cilat përbëjnë rrezik potencial për banorët. Inspektorati Qendror Teknik, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me grupe pune të organizuara, ka kontrolluar të gjithë aktivitetin e tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre që kryhet në Tiranë, duke lënë për çdo rast aktkontrolli edhe aktndalesë për shkeljet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve. Më pas kanë denoncuar në prokurori të gjitha subjektet që nuk kishin siguruar aktivitetin, midis tyre edhe subjektin në pronësi të shtetasit Alban Deda, i cili është dërguar në gjykatë.
Avokati i Popullit, duke marrë shkas nga tragjedia e ndodhur në Gërdec, nisi një proces shqyrtimi për të evidentuar të gjitha zonat me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Krahas evidentimit të zonave ushtarake, inspektorët e Dobjanit kanë verifikuar zonat me rrezikshmëri të lartë në kryeqytet. Disa nga objektet që konsiderohen të tilla janë edhe instalimet, impiantet dhe stacionet e tregtimit të naftës, gazit të lëngshëm dhe nënprodukteve të tyre të shpërndara në të gjitha qytetet dhe komunat, përfshirë në mënyrë të veçantë edhe njësitë e qeverisjes vendore të Qarkut të Tiranës, që për vetë specifikën që ka, përbën sasinë më të madhe të ruajtjes, depozitimit apo tregtimit të tyre në vend. Sipas Dobjanit, në territorin e Tiranës ushtrojnë veprimtarinë e tyre rreth 50 stacione tregtimi nafte, gazi dhe nënprodukteve të tyre, shumë prej të cilave të ndërtuara shumë afër banesave dhe institucioneve. Në shumë kate të para të pallateve krahas produkteve ushqimore etj., tregtohen edhe bombola gazi të madhësive të ndryshme.

KODI PENAL

Krime kundër autoritetit të shtetit
Titulli: Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive
Përmbajtja: Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Harta e "Gërdecëve" në Shqipëri

Shpërndarja sipas prefekturave
Fieri 150 stacione

Tirana 141 stacione

Vlora 90 stacione

Durrësi 82 stacione

Korça 72 stacione

Elbasani 71 stacione

Shkodra 62 stacione

Lezha 58 stacione

Gjirokastra 44 stacione

Berati 43 stacione

Dibra 30 stacione

Kukësi 27 stacione

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›