E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja kriteret për të ndjekur një fakultet të dytë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Aplikimi për një fakultet të dytë këtë vit akademik pritet të nisë në shtator. Kandidatët që duan të regjistrohen në fakultet të dytë mund t i ndjekin studimet me kohë të plotë ose të pjesshme(part-time). Por kjo kundrejt një tarife të caktuar, e cila ndryshon në bazë të degëve të përzgjedhura.
Kuotat
Universitetet dhe rektorati dorëzojnë në MASH kërkesat për kuota sipas degëve të caktuara dhe ministria i miraton këto të fundit. Për vitin akademik 2008-2009 kuotat, datat dhe tarifat e regjistrimit ende nuk janë shpallur, pasi pritet të mbyllet kapitulli i maturantëve të sivjetshëm. Sipas të dhënave po diskutohet për ulje të tarifave të regjistrimit deri në 50 mijë lekë të reja, kjo kryesisht për degët që kanë një kosto prej 1 milionë e 500 mijë lekë të vjetra(për studimet part-time). Por procedura e regjistrimit kërkon plotësimin e një dosjeje me të dhënat e kandidatit.
Regjistrimi
Pra kandidatët, të cilët kanë mbaruar një fakultet dhe dëshirojnë të ndjekin një të dytë, u duhet të konkurrojnë me dosje, në të cilën do të përfshihet edhe lista e notave. Edhe në këtë rast, fituesi do të përzgjidhet nëpërmjet mesatares. Dosja përfshin diplomën, listën e notave për të gjitha vitet e studimit, dega, fakulteti dhe gjeneralitetet.
Favorizimi
Sipas eksperiencës së një viti më parë, studentët që zgjedhin të studiojnë për një fakultet të dytë brenda për brenda profilit, e kanë më të lehtë për t u pranuar. Për shembull, një student që ka mbaruar Letërsi e ka më të lehtë të aplikojë për në lëndët shoqërore, si Histori, Gjeografi, Punë Sociale, Psikologji etj. Përpos këtyre të dhënave, pranimi i të gjithë kandidatëve të sistemin part-time apo me kohë të plotë do të bëhet edhe me para në dorë për çdo vit akademik, në varësi të tarifës që do të ketë secila prej degëve.
Tarifa
Pagesa do të qëndrojë si në rastin e ndjekjes së fakultetit me kohë të plotë ashtu dhe nëse kandidati zgjedh të studiojë në sistemin part-time në një fakultet të dytë. Përzgjedhja e tyre bëhet nga një komision vlerësimi, të cilët shqyrtojnë masën e ekuivalentimit të programit të studimit që dëshiron të ndjekë me programin e fakultetit që dëshiron të ndjekë.
Seleksionimi
Mbi bazën e propozimeve të komisionit, dekani i fakultetit i paraqet rektorit numrin e kuotave për degët e dyta dhe seleksionimi i kandidatëve bëhet mbi bazën e aftësisë së degës dhe cilësisë së rezultateve. Studentët që kanë kërkuar të ndjekin një fakultet të dytë njoftohen për regjistrimin në fakultet brenda 10 ditëve nga fillimi i vitit të ri akademik. Tarifat pritet të jenë të njëjta me ato të një viti më parë, por nuk përjashtohen edhe ndryshime. Degët më të kërkuara nga kandidatët kanë tarifa që arrijnë në 300 mijë lekë të reja, ndërkohë që tarifa më e ulët është 50 mijë lekë të reja.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›