Ja përse u lirua Ilir Kumbaro

Shuarja e masës së sigurisë arrest në burg për Ilir Kumbaron i akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha e dhënë nga Gjykata e Lartë është bërë pasi koha e paraburgimit për Kumbaron ka përfunduar. Sipas Kodit të procedurës penale neni 263 shpjegon se paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë së nga dita e dorëzimit të akteve në gjykatë kanë kaluar afatet e paraburgimit. Kështu masa e dhënë për Kumbaron në 2003 arrest në burg e ka humbur fuqinë e saj për ta mbajtur në qeli ish-SHIK-asin pasi prokuroria i ka dorëzuar aktet në vitin 2006. Kështu vendimi i Gjykatës së Lartë i rikthen lirinë Ilir Kumbaros. Sipas juristëve gjykata ka dhënë vendim të drejtë pasi neni 263 pika gjashtë thotë se kohëzgjatja tërësore e paraburgimit nuk mund të kalojë afatin prej tre vjetësh kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, prokuroria do të duhet të kërkojë në gjykatë një tjetër masë sigurie për Kumbaron. Por këtë herë kerkesa e organit të akuzës nuk mund të jetë më arrest në burg pasi kjo masë e ka humbur fuqinë. Sipas ligjit, akuza ka të drejtë të kërkojë masë sigurie ose arrest shtëpie, ose detyrim për paraqitje ose garanci pasurore për të akuzuarin për zhdukjen e biznesmenit të duraluminit në 1995 Remzi Hoxha. Së bashku me ish-SHIK-asin janë të akuzuar edhe Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budion Meçe.