E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash, pa pagesë

Aksi rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës nuk do të jetë me pagesë, sikurse pretendon media kosovare. Rruga më e kushtueshme e qeverisë shqiptare u mendua të jepej me koncesion, ose të paktën tuneli me gjatësi 6 kilometra, por u hodh poshtë. "Me aq sa kam informacion, nuk është e vërtetë që rruga Rrëshen-Kalimash do të përshkohet, duke paguar para. Ajo është ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk është e drejtë tarifa e një shërbimi të tillë", u shpreh dje Mima.
Media e Prishtinës njoftoi dy ditë më parë se, "tuneli i Thirrës, aksi rrugor Rrëshen-Kalimash, ka mundësi të bëhet me pagesë". Në fakt këtë lajm e rrëzoi direkt Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Tiranë, duke e cilësuar të pasaktë. Tarifat e pagesave për kalimin e automjeteve në tunelin e Kalimashit janë përcaktuar paraprakisht: 200 lekë për veturat (mbi 1.5 euro), 500 lekë për kombibusët (furgonët) (rreth 4 euro) dhe 1000 lekë për autobusët e kamionët (rreth 8 euro), që njëra prej galerive të tunelit mund të bëhet e gatshme për qarkullim në fund të këtij viti, njoftoi një media kosovare. Këto të dhëna u hodhën menjëherë poshtë nga qeveria shqiptare. Gjatë sezonit turistik, në tunelin e Thirrës kanë kaluar mesatarisht rreth 6 mijë makina në ditë, ndërsa në një ditë u shënua kulmi me 15 mijë makina.

A.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›