E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja si do të realizohet reforma spitalore për sigurimet

Autori i Lajmit: red.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor organizoi dje takimin me temë; “Shtrirja e skemës në spitale, statusi dhe shkalla e autonomisë” me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të interesit. Të pranishëm në takim ishin Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, kryetari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë Tritan Shehu, këshilltari i presidentit të Republikës, Maksim Cikuli, mjekë të njohur të QSUT-së dhe përfaqësues nga të gjitha spitalet e vendit. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh në fjalën e saj se është marrë tashmë mbështetja e plotë e qeverisë për të ndërmarrë këtë reformë të rëndësishme për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në spitale. Ndërsa drejtoresha e ISKSH-së znj. Elvana Hana tha në fjalën e saj se ISKSH do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit i cili do të lidhë kontratë me stafin. Sipas Hanës nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet me këmbëngulje disiplinë administrative, disiplinë financiare dhe disiplinë profesionale për të siguruar efiçencën e shërbimeve shëndetësore, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre. Drejtoresha e ISKSH-së u shpreh gjithashtu se pas një sërë diskutimesh me Ministrinë e Financave është rënë dakort që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet dhe kjo është një pikë themelore e mirëfunksionimit të skemës së sigurimeve shëndetësore. Ndërsa Tritan Shehu, kreu i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend u shpreh se do të mbështesë në komisionin parlamentar ndryshimet ligjore që do të legjitimojnë këtë nismë mjaft të rëndësishme e cila më pas do ti hapë rrugë mirëfunksionimit të tregut edhe në Shëndetësi. Këshilltari i Presidentit të Republikës, ish-ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli u shpreh se është tejet e nevojshme shtesa e fondeve për shëndetësinë. “E përshëndes këtë nismë dhe mendoj se çështja e parë dhe më e prekshme që duhet të zgjidhet është ajo e medikamenteve në spitale. Dihet gjendja që është sot dhe nëpërmjet një përdorimi më të mirë qoftë edhe të të ardhurave aktuale, pa lënë mënjanë një shtesë fondi të domosdoshme, duhet ti jepet fund këtyre mungesave të theksuara në spitalet tona”, tha Cikuli. Ndërsa kryetari i Urdhrit të Farmacistëve Arjan Jaupllari, duke këmëngulur te shtesa e fondeve, u shpreh se Shëndetësia duhet të kthehet në prioritet real të Qeverisë. “ISKSH e ka treguar veten nëpërmjet reformës në parësor që është e aftë të mbajë përgjegjësi dhe mendoj se të gjithë së bashku duhet të nxisim këtë nismë mjaft të rëndësishme për sistemin tonë shëndetësor”. Vend në takim zunë edhe prezantimet mbi statusin legal të spitaleve, vizionin 7 vjeçar të spitaleve në Shqipëri, si dhe rolin e stafit mjekësor në spitale, pas përfshirjes së tyre në skemën e sigurimeve shëndetësore. MSH dhe ISKSH vlerësojnë se projekti i spitalit të Durrësit është një përvojë e mirë, por dhe një model për t u përhapur në spitalet e tjera në vend në drejtim të zbatimit të reformës spitalore. Aktualisht, spitali rajonal i Durrësit është i vetmi që financohet nëpërmjet skemës së sigurimeve shëndetësore, që nisi nga zbatimi në vitin 2001, në bazë të një projekti pilot. ISKSH-ja gjykon se nuk është e rastësishme që performanca e këtij spitali ka tregues mjaft pozitivë, krahasuar me spitalet e tjera. Ndër këta tregues përmenden barnat, një problem i zgjidhur në këtë spital, përkundër problemeve që dëgjohen rëndom në spitalet e tjera të vendit, apo shfrytëzimi i shtratit në nivele mjaft të mira. Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i shërbimit spitalor ndaj qytetarëve, të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore, rritja e autonomisë administrative si dhe ndryshimi i mënyrës së menaxhimit.

Ky lajm është publikuar: 05/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›