Ja të ardhurat e deputetëve të PS
ADI SHKEMBI
Deklarimet pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit nxjerrin diferencën e madhe të pasurive mes deputetëve të rinj dhe të vjetër të Partisë Socialiste. Gazeta boton sot deklaratat e disa prej ligjvënësve që kanë më shumë se një mandat parlamentar në selinë rozë dhe deputetët e rinj, të cilët në zgjedhjet e 28 qershorit morën për herë të parë mandatin.
Deputetët e vjetër
Deputeti më i varfër i Partisë Socialiste, është kryetari i grupit të saj parlamentar, Gramoz Ruçi. Në deklarimin e pasurisë ai ka vendosur vetëm rrogën që përfiton nga puna si deputet dhe pjesëmarrjen në aktivitetet parlamentare, të cilat shkojnë në shumën 1.4 milion lekë të reja. Ndërkohë, që gjatë vitit 2009 ai nuk ka pasur asnjë ndryshim në pasuritë e paluajtshme dhe as në detyrimet financiare ndaj personave fizikë dhe juridikë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ish-kryeministrin e Qeverisë socialiste, Pandeli Majko. Të ardhurat e tij gjatë vitit 2009 kanë qenë në shumën 1.5 milion lekë të reja, ndërkohë që ka deklaruar se bashkëshortja nuk është në marrëdhënie pune. Gjatë vitit të fundit, ai ka vazhduar të shlyejë një kredi të marrë në 2003. Në kushte afërsisht të njëjta është edhe deputeti i qarkut të Durrësit, pjesëmarrës në grevën e urisë, Blendi Klosi. Sipas deklarimit të tij të pasuritë, të ardhurat e familjes janë paga e deputetit 1.4 milion lekë dhe paga e bashkëshortes 960 mijë lekë. Por ai vazhdon të shlyejë këstet e dy kredive, përkatësisht një kredi për shtëpi dhe një për automjetin. Ndërkohë më e mirë paraqitet gjendja e Bashkim Finos. Veç pagës së deputetit, ai përfiton një shumë prej 21.600 euro, nga dhënia me qira e një apartamenti në Tiranë, si dhe 5620 euro nga të ardhurat e një llogarie bankare.
Deputetët e rinj
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për deputetët e rinj të PS-së. Armando Prenga, Ditmir Bushati, Klodiana Spahiu, Damian Gjiknuri, Arben çuko, Asllan Dogjani dhe Enkelejda Shkreli kanë deklaruar pasuri të mëdha, të shpërndara në apartamente dhe llogari bankare. Pasuritë e këtyre deputetëve iu afrohen atyre të publikuara një ditë më parë nga gazeta të Hazir Gashit, Xhemal Qefalia dhe Ndue Kola. Deputetja e qarkut të Tiranës, Enkelejda Shkreli ka deklaruar përveç tre shtëpive banimi në Tiranë, Berat dhe Golem, edhe bizhuteri të trashëguara nga gjyshja në shumën 25 mijë euro dhe një gjendje cash në shtëpi prej 88 mijë euro. Ndërsa ish kreu i Gardës, Arben çuko, përpara se të bëhej deputet ka punuar si këshilltar pranë Qeverisë së Kosovës, ku ka përfituar 28 mijë euro. Eksperti i zgjedhjeve në PS, Damian Gjiknuri ka deklaruar tre apartamente, nga 26 mijë lekë, deri në 7 milionë, si dhe aksionet në Eurosig. Ndërsa Ditmir Bushati ka deklaruar se ka blerë një apartament në Farkë, me vlerë 42 mijë euro, disa llogari bankare si dhe të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes.
Bashkim Fino
Deputeti i qarkut të Fierit, ish ministër dhe ish-kryeministër, deklaron se ka si të ardhura pagën si deputet dhe pjesëmarrjen në komisione. Ndërkohë, ai merr më shumë se 21 mijë euro qira nga një apartament në Tiranë dhe rreth 5600 euro nga llogaria bankare.
- Paga si deputet dhe shpërblime 1.701.697 lekë
- Të ardhura nga qiraja e apartamentit pranë Arkivit 21.600 euro
- Të ardhura nga llogari në euro 5.620 euro
Diana Fino (bashkëshortja)
- Aktivitet privat, tregtim me pakicë artikuj industrialë, xhiro vjetore 1.2 milion lekë
Blendi Klosi
Deputeti i qarkut të Durrësit, pjesëmarrës në grevën e urisë, Blendi Klosi ka deklaruar pagën e tij dhe të bashkëshortes si punonjëse e Tv Klan, ndërkohë që vazhdon të paguajë dy kredi, për makinë dhe për shtëpi.
- Paga si deputet 1.415.886 lekë
- Paga e bashkëshortes si punonjëse e Tv Klan 960.000 lekë
- Kredi për banesë, paguar në 2009 360.000 lekë, mbetur edhe 4.100.000 lekë
- Kredi për automjet, paguar në 2009 285.000 lekë, mbetur 657.267 lekë
Pandeli Majko
Ish-kryeministri ka deklaruar pranë ILDKP-së se gjatë vitit të kaluar ka pasur si të ardhura, vetëm rrogën si deputet dhe shpërblimin nga pjesëmarrja në komisione.
- Nuk kam ndonjë shtesë ose pakësim
- Të ardhurat e mia të vitit përbëhen vetëm nga paga dhe shpërblimet nga pjesëmarrja në komisione 1.542.063 lekë
- Bashkëshortja nuk është në marrëdhënie pune. Fëmijët nuk janë në moshë madhore.
- Kredi e marrë në vitin 2003, shlyer gjatë vitit 2009 284.520 lekë
Gramoz Ruçi
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk ka pasur asnjë ndryshim në pasuritë e paluajtshme gjatë vitit 2009. Ai ka marrë vetëm pagën e deputetit, ndërkohë që deklaron se nuk ka detyrime financiare ndaj personave fizikë dhe juridikë
- Ndryshimet e interesave private, nuk kam ndryshime
- Të ardhura nga paga si deputet dhe pjesëmarrës në komisionet parlamentare 1.443.840 lekë
- Detyrime financiare ndaj personave fizikë dhe juridikë nuk kam