E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhja racionale mes diplomës dhe krediteve

Ilir Kalemaj

Ligji i ri për Arsimin e Lartë, u jep zgjidhje një sërë problematikash që kanë shoqëruar procesin e llojit të diplomës së përftuar sistemeve të financimit të universiteteve, duke marrë parasysh autonominë e tyre dhe duke garantuar zgjidhje oportune për studentët, të cilëve u jep mundësinë e zgjedhjes duke garantuar kështu edhe një garë më cilësore mes universiteteve (si privatëve, ashtu dhe publikut). Rritja e konkurueshmërisë, bazuar në cilësinë e mësimdhënies, infrastrukturës mësimore, kurrikulave, laboratorëve, metrave katrorë për studentë, cilësisë së bibliotekës, stafit pedagogjik dhe tërheqja e studentëve më të mirë nëpërmjet një sistemi meritë-bazuar, janë nisma që duhen përgëzuar dhe që gjejnë vend në ligjin e ri.
Nga ana tjetër, në ligjin e ri për Arsimin e Lartë, duket se nga legjislatori është harruar të përcaktohet çdo të ndodhë me ata studentë që i përkasin sistemit të vjetër, por për një arsye apo tjetër ju është dashur të ndërpresin studimet. Pra mungon një dispozitë kalimtare që të përcaktojë, bazuar në numrin e kreditëve të përftuara, llojin e diplomës me të cilën pajiset studenti kur përfundon ciklin e studimeve, varësisht vitit në të cilin ka përfunduar. Sistemi i vjetër 4-vjeçar është cilësuar me 240 kreditë universitarë, por ishte barazuar për qëllime thjeshtësimi me sistemin e ri 3+2 apo 4+1 (300 kreditë) për të përfituar llojet e diplomave DND (diplomë e nivelit te dytë) apo DIND (diplomë e integruar e nivelit të dytë). Ndërkohë që 240 plus 60 kreditë (1 vit akademik), studenti mund të përfitonte MND (Master të Nivelit të Dytë).
Sistemi i ri në vija të trasha, thjeshtëson anën procedurale të Arsimit të Lartë, duke e përputhur thuajse plotësisht me Kartën e Bolonjës dhe standardet e tjera të pranuara ndërkombëtare. Sistemi i ri propozon një nivel Bachelor (kryesisht 3-vjeçar, por edhe 4 varësisht nga vendim-marrja brenda dekanateve të caktuar, bazuar në kartën e autonomisë universitare). Niveli i dytë do përbëhet nga nivelet Master (i thjeshtë) dhe Master shkencor, ndërsa niveli më i lartë është doktorata, për të cilën nuk duket se ka ndryshuar gjë me sistemin e kaluar. Përsa i përket Masterave, këta zëvendësojnë sistemin e ngatërruar të mëparshëm, që përbëhej nga Master i Nivelit të Parë (MNP), DND-të dhe DIND-të, si dhe MND-të. Të kesh vetëm dy nën-ndarje është gjithnjë më e preferueshme dhe e pëlqyeshme, se të kesh katër dhe eliminon dhe konfuzionin publik, që shpesh nuk e kuptonte procedurën e ndërlikuar dhe dallimet mes diplomave me të njëjtët numër kreditësh. Pra e përgjithshmja që duhet thënë është se kemi të bëjmë me një reformë cilësore dhe tepër pozitive, që vjen në kohën e duhur dhe synon që nëpërmjet konsultimit dhe partneritetit me Universitetet publike dhe private të garantojë cilësinë e munguar të infrastrukturës së edukimit në Shqipëri.
Por problemi kryesor ngelet mungesa e ekuivalentimit të numrit të krediteve të përftuara në sistemin e lartë brenda dhe jashtë vendit dhe cilësisë dhe llojit të diplomës që përftohet. Në vend që të ndiqet një zgjidhje racionale, ku numri i kreditëve të përftuar të jetë indikatori kryesor i vlerësimit të titullit të diplomës që studenti përfiton në fund të studimeve apo i njihet me sistemin e ri, duket se ka një lloj konfuzioni, që mund fare lehtë të zgjidhet me anë të një dispozite kalimtare në ligjin aktual, çka do thjeshtësonte procedurat për ata qindra dhe mijëra studentë, brenda dhe jashtë vendit të cilët mund t`i kenë ndërprerë dhe rifilluar studimet për një arsye apo për një tjetër. Pra nëse dikush i përket sistemit të vjetër 4-vjeçar (që kishte 240 kreditë) dhe ku disa u lejuan të shkonin direkt në studimet e doktoratës pa pasur nevojën e kryerjes së Masterit, do ishte absurditet që dikush që ka grumbulluar 300 kreditë, por i bie të mbarojë në vitin akademik 2010-2011 për shkak të një apo dy provimeve të mbartura apo për shkak të ndërprerjes së studimeve të përftonte diplomë të thjeshtë Bachelor, njëlloj me atë me 180 kreditë.
E vetmja zgjidhje që do i jepte një drejtim sa ligjor, aq edhe logjik, por edhe të thjeshtëzuar emërtimit të diplomave dhe përcaktuar llojin e tyre, duke garantuar njëkohësisht standarde uniforme dhe neutralisht të zbatueshme, do ishte përputhshmëria e numrit të kreditëve me llojin e diplomës së përftuar, pavarësisht nëse studenti kishte përfunduar studimet në Shqipëri apo jashtë, në Universitet publik apo privat. Duhet të ketë një dallim të qartë mes numrit të kreditë 120, studime jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite, siç është përcaktuar qartazi në ligj me diplomat Bachelor, të cilat përgjithësisht kanë 180 kreditë universitarë. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite të projektit kërkimor dhe të tezës dhe kohëzgjatja e tyre është 2 vite akademike, ndërsa programi i studimeve master realizohet me 90 kredite dhe kohëzgjatja e tyre është 1.5 vite akademike. Ndërmjet programeve të ciklit të dytë mirë do ishte që të bëhej dhe një nën-ndarje mes numrit 240 dhe 300 kreditë të përftuar, duke u korresponduar përkatësisht titulli Master (i thjeshtë) dhe Master Shkencor. Përputhshmëria e numrit të krediteve të përftuara në nivel universitar dhe pasuniversitar me llojin e diplomës së marrë në fund, pavarësisht nga nisja dhe përfundimi i studimeve (në linjë me principin e life long learning) dhe vendin e studimit (jashtë apo brenda Shqipërisë) apo institucionit të edukimit (privat apo publik), çka mund të bëhej me një dispozitë kalimtare në projekt-ligjin aktual, do ishte në interesin e studentëve, universiteteve, Rektoratit të UT-së, Ministrisë së Arsimit dhe cilitdo stakeholder me një interes në mbarëvajtjen e këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›