E Diel, 1 Nëntor 2026

Të jetosh në një dimension post-ideologjik

Ndriçim Kulla

E djathta dhe e majta janë në natyrën e tyre si "objekte fluturakë", me konture jo të ngurtë e të fort mirë të ravijëzuar. Në këtë kuptim, referimi ndaj diferencës midis së majtës dhe së djathtës mund të jetë një rrugë-shkurtësi e dobishme konjitive për marrjen e një vendimi në kontekstin e një pasigurie mbizotëruese.
Edhe qytetarët kur u drejtohen kutive të votimit nuk duhet harruar se mbartin mbi vete një dozë të madhe pandërgjegjshmërie mbi atë çka është më e mira për ta. Zgjidhja "partizane" për një kandidat apo për një program elektoral vetëm "sepse është i së djathtës apo i së majtës", e kësisoj më afër mënyrës së tyre të të menduarit, e lehtëson shumë detyrën e tyre. Ky është interpretimi i pozicionimit me logjikën "e rreshtimit", në një kohë kur të jetuarit në dimensionin post-ideologjik do të thotë që "votimi në rresht" t'i lërë vendin një vlerësimi më të kujdesshëm të aftësisë dhe dhuntive morale të politikanit. Do të thotë të mbizotërojë autonomia e gjykimit, e çliruar nga përkatësia politike dhe e kushtëzuar nga efikasiteti dhe nga përmasa e etikës dhe integritetit të përfaqësuesit politik. Nëse ne sot do t'i hidhnim një sy dinamikës së debateve kryesore politike dhe të shqyrtonim fjalët e tyre më kyçe si barazi, solidaritet, siguri, pjesëmarrje, punësim, familje, identitet, legalitet, siguri e integrim, për t'i krahasuar perceptimin që ka opinioni publik për to, do të rezultonte se këto koncepte në linguistikën e programeve të partive tona nuk i përkasin si të pandara as njërës dhe as tjetrës palë. Por një problem tjetër është edhe funksioni thjeshtëzues i ligjëratës politike në veshjen e qëndrimeve ndaj së majtës dhe së djathtës. Për dy dekada të tëra me radhë, fjalë të tilla si liri apo punësim janë bërë gati-gati si flamuj për secilën prej rreshtimeve ideologjike. Dy kultura politike, dy vizione të botës, që i kundërviheshin njëra-tjetrës, çka e bëjnë më skematike leksionin e demokracisë. Edhe për këtë arsye logjika e "rreshtimit" pritet të humbasë gjithnjë e më tepër terren në opinionin publik. Por përtej kësaj prirje të përgjithshme, lipset të vëzhgohet edhe fakti se si gjuha e politikës ka filluar të shndërrohet kështu në "tokën e askujt". Në pikëpamjen globale evidentohet se e majta europiane vazhdon të qëndrojë më e lidhur pas çështjeve ideale të së shkuarës së saj fisnike si barazia, solidariteti, pozicionimi dhe angazhimi demokratik. Ndërkohë që e djathta i mbush diskurset e veta me një regjistër linguistik shumë më praktik si familja, legaliteti, atdheu, siguria etj. Paniku moral për kriminalitetin, pasigurinë ekonomike, ose thjesht ankthi për një realitet social të komplikuar, janë disa nga problemet që kondensohen më shumë në këtë fillim mijëvjeçari. Nga ana tjetër, siguria një herë e një kohë ishte njëri nga kalorësit e betejës të së majtës: Rrjeti i mbrojtjes së shtetit social konsiderohej si një instrument thelbësor për të përforcuar sigurinë e shtetasve më në nevojë. Mirëpo problemi është që paqëndrueshmëria e shoqërisë globale ka arritur ta shfuqizojë Welfare- in. Kësisoj mburoja e politikës asistenciale nuk është më një strehë për shtresat popullore dhe shtresat e masave që varfërohen. Për këtë arsye çështja e sigurisë ka arritur të "migrojë" e të gjejë një strehim të sigurt në politikat e "tolerancës zero" të së djathtës.
Po njësoj edhe dy çështje themelore të leksionit politik të viteve '900 duken të zhvishen pothuajse plotësisht nga nënkuptimet e tyre ideologjike: punësimi është vetëm në mënyrë të moderuar flamur i së majtës, ndërkohë që çështja e lirisë është e barazpeshuar në favor të dy vështrimeve. Këto dy terma që dikur patën pushtuar gjithë skenën e shoqërisë fordiste, sot nuk duket të kenë po të njëjtën ngjarje a fuqi në hapësirën politike. është një dëshmi empirike shumë domethënëse: mutacioni epokal, nëse konsiderohet që liberalizimi i përket që në gjenezë të vet kulturave të pozicionuara tek e djathta. Ndërkohë që nga ana tjetër, punësimi për të majtën është akoma edhe më thelbësor për identitetin e vet. Deri para pak vitesh para këtyre termave mund të nëpërdukeshin dy zgjidhje kryesore: njëra që iu jepte më shumë peshë autonomisë së forcave të tregut se sa sferës së politikave publike; tjetra që invokonte ndërhyrjen shtetërore për të garantuar kushtet minimale të sigurisë shtresave më pak të avantazhuara. Në ligjëratat tona politike këto diferenca nuk përmenden e nuk zënë vend. Mos vallë ato nuk ekzistojnë? E prej kësaj a mund të arrijmë në përfundimin që kjo është fryt i një shoqërie me prirje të theksuara kah zhdukjes së dallimit midis shtresave? Mos vallë me përfundimin e konfliktit social punësimi dhe liria do të shndërrohen në koncepte të ndërkëmbyeshme pa kurrfarë valence ideologjike?
Një analizë e thellë tregon se gjërat nuk janë në këto terma. Për të kuptuar këtë proces duhet shqyrtuar mesazhi konfuz, që politika jonë, qoftë e majtë dhe e djathtë, ka lëshuar në lidhje me punën dhe mekanizmin e rregullimit të tregut, gjatë gjithë këtyre legjislaturave. E djathta, pavarësisht prirjes konstante ndaj lirisë, përsëri nuk mund të konsiderohet si kampione e liberalizimit, pasi provojmë se liberalizime të rëndësishme të ekonomisë janë bërë edhe nga e majta. Gjithsesi, përkatësia e të qenit në lartësinë e identitetit të vet, së djathtës i ka ardhur si pasojë e pozicioneve ambivalente në raportet midis politikës dhe ekonomisë. Si shembull emblematik mund të jetë pavendosmëria ose moskëmbëngulja e diktimit sa më shumë të konkurrencës, prania e lobeve ekonomike, apo shpënia deri në fund e privatizimeve në të gjithë sektorët strategjikë. Pra, shpesh e djathta i ka harruar mësimet e Adam Smithit e të shkollës së çikagos, duke e dobësuar ngarkesën e tyre liberatore. Po njëlloj, edhe e majta është treguar e vagullt në luftën për punësimin. Sigurisht nuk ka munguar të denoncojë dramaticitetin e gjendjes, megjithatë për qytetarët kjo është dukur e vonë dhe kontradiktore. E kjo, pasi e majta i ka humbur lidhjet dhe kontaktet me atë që është baza e saj e natyrshme, e një identiteti të spikatur ideologjik. Cilat janë arsyet? Punësimi nuk arriti dot të shoqërizohej me idenë e solidaritetit dhe të drejtësisë sociale, për ta shndërruar atë në një parametër midis shumë të tjerëve mes konkurueshmërisë globale. Për këtë arsye ajo u çankorizua nga baza e saj zanafillore tek e majta.
Shihet, pra nëpërmjet këtyre dy shembujve se e djathta dhe e majta gjejnë vështirësi në krijimin dhe rrokjen e identitetit të vetvetes për këto çështje të mëdha ekonomike dhe sociale. E para është e shtrënguar të korrigjojë shënjestrën përballë çekuilibrimeve të tregut të lirë nën ndikimet globale. E dyta lipset të rizinxhirizojë lidhjen e vet me shtresat sociale të disavantazhuara, duke krijuar mënyra të reja për të përballuar format e panjohura të brishtësisë dhe pasigurisë sociale që po goditin shoqërinë. Mirëpo, për të dyja nuk duket në horizont kurrfarë projekti i ri politik. Në këtë kontekst, është thelbësore të rrohet në një periudhë të rëndësishme post- ideologjike. Mirëpo, në tërësi nuk ndihet ende një lamtumirë përfundimtare ndaj ideologjive, edhe pse sigurisht ndjehet se diçka ka ndryshuar. Një dozë e fortë pragmatizmi duket të mbizotërojë në opinionin publik tek ne, edhe për faktin se e djathta dhe e majta, në mënyrën se si janë paraqitur në ofertën e tyre politike, nuk janë lodhur së shtypuri tastën e mos-efikasitetit të kundërshtarit. Denoncimi i rezultateve nuk është i mjaftueshëm, po kështu konkretësia e programeve është një aspekt i rëndësishëm, por jo vendimtar. E akoma dhe më pak mbizotëruese është korniza e liderëve dhe aftësia e tyre komunikuese. Njerëzit janë bërë vërtet më praktikë, por kjo nuk i pengon të mbajnë fort në konsideratë dimensionimin e vlerave, të integritetit. Megjithatë behët fjalë për bindje personale, të çrrënjosura nga djepi i ideologjisë së masave, që i pluralizojnë vlerat, nëse nuk gjejnë përgjigje në një rrëfim të madh kolektiv që të dijë t'i përfaqësojë. E djathta dhe e majta janë të ftuara kështu të sintetizohen me shtysat e etikës e të njehsimit me vlera e integritet, nëse duan të qeverisin ndryshimet e kohës dhe të kalërojnë fazën e ndryshimit që po hap kjo perspektivë. Ndoshta të jetuarit në një dimension post-ideologjik është kuptimi thelbësor i asaj që ka kohë që trumbetohet si "përtej së majtës dhe së djathtës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›