E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takohen në Bruksel, për marrëveshjen IBM

Në Bruksel, më 13 dhe 14 shkurt 2012, është mbajtur takimi në mes të ekspertëve nga Kosova me ata të Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE, me qëllim të hartimit dhe finalizimit të protokollit teknik për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), siç e parasheh edhe marrëveshja e arritur mes dy shteteve me garancat e BE-së.

Pala e Kosovës, edhe kësaj radhe, ka dhënë kontributin profesional për hartimin dhe finalizimin e protokollit dhe më këtë rast ka këmbëngulur që zbatimi i marrëveshjes së IBM-së të fillojë sa më parë dhe të jetë në frymën e standardeve më të mira të BE-së, informon Zyra për komunikim me publikun e kryeministrit të Kosovës.

Tutje thuhet se, përmes zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, Kosova do të përmbush një nga obligimet evropiane për përafrim me BE-në, në veçanti për liberalizmin e vizave si dhe do të rritë sigurinë dhe kontrollin kufitar. Zbatimi i kësaj marrëveshje do të lehtësojë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në luftimin e dukurive negative, siç janë kontrabanda dhe informaliteti.

Ekipi i ekspertëve të Kosovës përbëhej nga Lirim Greiçevci - koordinator i çështjes së IBM-it, Dren Zeka – këshilltar politik i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Naim Huruglica - drejtor i Doganave të Kosovës, Shaban Guda - drejtor i policisë kufitare dhe Valdet Gjinovci - kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›