E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahmir Hyka: Synimi im te Olimpiakosi, sezoni 2007-2008

Nga Altin B. Kodra
Albania-Sport
- Ka përfituar nga pauza e drekës për të shijuar Internetin një nga pasionet e tij të mëdha, natyrisht, pas futbollit, dhe ka kërkuar të mësojë sesi po shkonin ndeshjet e para cerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Përvecse një futbollist premtues, Jahmir Hyka është edhe një njeri i dhënë pas internetit dhe Albania-Sport.com bisedoi me të gjatë kohës së ai po kontrollonte rezultatet e ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë në Internet. "Më kanë pritur shumë mirë dhe dalëngadalë po ambientohem me mjedisin këtu, - rrëfen Hyka, duke përshkruar ditët e tij të para te klubi i Olimpiakosit. - Hëpërhë jam sistemuar te hoteli i klubit, por kjo është për një periudhë të shkurtër, derisa të stabilizohem me akomodimin në një banesë të përshtatshme." I pyetur për mënyrën e komunikimit, Hyka sqaron se gjuha që ai përdor është anglishtja, të cilën, personat që e rrethojnë, e flasin shumë mirë. Jahmiri, i cili më datë 8 të muajit të ardhshëm mbush 19-vjec, pohon se e ndjek rregullisht futbollin shqiptar (sic ishte sot rasti i ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë), por shpreson ta provojë fatin dhe të dalë me sukses në futbollin evropian, në Greqi, pas asaj aventure simpatike, por që ra pre e burokracive në Norvegji. "Nuk është se jam ndonjë tifoz i thekur, por anoj pak nga Dinamo, pasi aty pata mundësi të luaj për disa kohë", - thotë mesfushori shtatshkurtër. Pavarsisht nga mosha e tij, futbollisti që është vetëm 1 m e 68 cm i gjatë dhe peshon 58 kg, nuk ushqen iluzione për provën e vështirë që e pret te një klub i madh si ai i Olimpiakosit, me të cilin ka nënshkruar një kontratë 5-vjecare. "Nuk besoj se do të kem mundësi të aktivizohem me skuadrën e parë të Olimpiakosit gjatë këtyre 3 muajve që kanë mbetur nga ky sezon, kjo edhe për arsye të kufizimeve që ekzistojnë në kampionatin grek për ekstrakomunitarët" - pohon Hyka, duke folur për Albania-Sport.com. "Por, natyrisht, këtë periudhë unë do ta shfrytëzoj në maksimum për t'u stërvitur, për t'u përshtatur me futbollin këtu dhe për të synuar një vend në skuadrën e parë për sezonin e ardhshëm", - shton djaloshi 18-vjecar, i cili paskëtaj na kërkon leje që të largohet, sepse "fillon stërvitja për 10-15 minuta".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›