Mafia e Projekteve, si u "hodhen ne lume" 1.5 milionë euro të BE-së
Zbulohet abuzimi skandaloz me fondet e BE-së. Si u manipuluan të dhënat shkencore të projektit
Habjon Hasani
Të paktën në rastin konkret fjala lumë nuk manifeston ndonjë metaforë, pasi bëhet fjalë për lumin Fan dhe një projekt “të çuditshëm” që do të bëjë zhvendosjen e një masivi dheu gjoja të kontaminuar në anën tjetër të lumit. E gjithë historia fillon në vitin 2004, kur një projekt i Bashkimit Europian akordoi disa miliona euro për sistemimin e disa zonave në Shqipëri që paraqisnin një nivel të lartë ndotjeje. Një shumë prej 3.5 milionë eurosh u parashikua të shkonte në Uzinën e Superfosfatit të Laçit, por duke qenë se aty nuk u krijuan kushtet (si pasojë e reagimit të disa pronarëve tokash) për ndërhyrje, atëherë shuma në fjalë u mbajt e ngrirë. Por kjo shumë nuk mund të rrinte pafundësisht e ngrirë pasi projektet kanë një afat përfundimtar (deadline) dhe pikërisht në këtë moment në lojë kanë hyrë “mjeshtrat” shqiptarë të mjedisit, duke vendosur të investojnë këtë shumë në sistemimin e fabrikës së ish-Azotikut në Fier dhe në zonën përreth Uzinës së Bakrit në Rubik (rreth 1.5 milionë euro). Por problemi qëndron pikërisht te ky i fundit, pasi të dhënat shkencore që flasin për shkallën e kontaminimit janë të falsifikuara dhe të rreme.
Fillesa
I gjithë operacioni për izolimin e lëndëve të kontaminuara si rregull duhej të përqendrohej në vatrat më të nxehta dhe më të kontaminuara. Shqipëria ka të renditura një sërë vatrash të tilla, por krejt papritur në këto vatra del se është përfshirë edhe sheshpunimi (masiv i madh dhe i ngjeshur dheu) rreth Uzinës së vjetër të Rubikut. Ky sheshpunim është krijuar për dekada të tëra me radhë nga gërryerja e shkëmbinjve me qëllim që të arrihej në strukturat nëntokësore që kishin përmbajtje bakri. Për hir të së vërtetës, gjatë kohës që uzina ka qenë në funksionim, specialistët kanë vërejtur se në kohë reshjesh apo mjegulle të dendur si pasojë e gazrave të uzinës mbi zonën përreth binte shi acid. Kjo ka ndodhur pasi uzina nuk dispononte një teknologji të filtrimitt të gazrave. Por me mbylljen e uzinës në vitin 1998, automatikisht u ndërpre dhe rënia e shiut acid në të gjithë zonën. Pretendimet e projektit janë se shirat që kanë rënë në sipërfaqen e sheshpunimit të uzinës kanë përmbajtje toksike dhe të kontaminuar. Për më tepër, projekti “jep alarmin” se meqenëse pranë fabrikës kalon dhe lumi Fan, atëherë kjo sasi dheu e sheshpunimit do të kërcënonte jo vetëm ambientin tokësor, por edhe atë ujor. Kësisoj u vendos të bëhej zhvendosja e të gjithë masivit në anën tjetër të lumit në një zonë të sigurt (landfilld) që sipas projektuesve plotësonte të gjitha kushtet e mbrojtjes së ambientit. Por a janë të sakta të dhënat dhe parametrat shkencorë mbi përmbajtjen toksike, apo të kontaminuar? Rezulton krejt e kundërta. Ndërkohë që i gjithë “projekti” duket se është një farsë totale nëse i referohesh pretendimeve për përqindjen e aciditetit.
Acidi
Të dhënat për kontaminimin e zonës janë bazuar në një studim të vitit 2000, që në mënyrë të çuditshme i dedikon një përqindje shumë të lartë aciditeti dheut të sheshpunimit dhe kontaktit të mundshëm të tij me ujin e lumit. Shkallën e aciditetit e përcakton vlera e Ph (pehashit). Nëse i referohesh studimit në fjalë, Ph është përcaktuar me koeficientin 3. Për cilindo që ka njohuri minimale nga përbërësit kimikë është e qartë se kjo vlerë aciditeti do të shkrinte dhe hekurin kur të precipitonte në tokë, pasi bëhet fjalë për një përqendrim të atillë të acidit që mund të gjendet vetëm e stimuluar në laboratore dhe kurrsesi në natyrë. Për të sqaruar këtë koeficient vlen të theksohet se Ph-i nga vlera 1-7 nënkupton një masë me përmbajtje acide. Norma ndërkombëtare e Ph-it përcakton se për t’u krijuar shiu acidik, Ph-i duhet të jetë me koeficient 6-9. Jo vetëm kaq, por vetë normat ndërkombëtare paracaktojnë se kur niveli i Ph-it arrin në ujë koeficientin 4.5, atëherë “përvëlohen” të gjitha gjallesat nënujore. Kësisoj, koeficienti 3 i Ph-it, i paraqitur në projekt, flet për një zonë ku nuk mund të ekzistojë jo vetëm asnjë gjallesë njerëzore, por edhe materiale si hekuri do të shkrihen dhe thërrmohen. Nisur nga kjo e dhënë, del qartë se kemi të bëjmë me një manipulim ekstra-amatoresk dhe tërësisht të gënjeshtërt. Po përse duhej paraqitur kjo zonë si një ambient i kontaminuar dhe toksik në një kohë që elementët e masivit të sheshpunimit pranë fabrikës nuk kanë asnjë lidhje me elementët kontaminues? Përgjigjja vjen kollaj nëse i referohesh përfitimeve që mund të vijnë nga një aksion i tillë.
Loja
Angazhimi i Bashkimit Europian për të zgjidhur problemet me zonat e kontaminuara dhe toksike është shprehur në dhënien e donacioneve prej disa miliona eurosh. Në këto kushte, paraqitja e projekteve të rreme mund t’i kthente menjëherë hartuesit e tyre në milionerë. Kjo ndodh pasi shumat financiare me gjashtë zero, që akordon BE-ja, jepen posaçërisht për faktin se po menaxhohet një situatë me rrezikshmëri të lartë, ndërsa dhe infrastruktura e izolimit të këtyre materialeve është shumë e kushtueshme. Por në rastin kur të dhënat e materialit janë të rreme, rrjedhimisht i gjithë aksioni shndërrohet nga izolimi i një masivi të kontaminuar në një zhvendosje të zakonshme dheu në anën tjetër të lumit. “Albania” ka kontaktuar një numër të madh specialistësh dhe metalurgësh, të cilët jo vetëm kanë hedhur poshtë të dhënat e projektit, por kanë shtuar se problemi është tërësisht i stisur dhe inekzistent. Megjithatë, nga ana e Ministrisë së Mjedisit është dhënë pak javë më parë leja mjedisore për zhvendosjen e masivit të “kontaminuar”, ndërsa është vetë qeveria “Berisha” që në strategjinë e saj e ka konsideruar në korrik të vitit 2006 Uzinën e Rubikut si një terren industrial për të paktën dhe 15 vite të tjera.
Ministria dhe Agjencia Mjedisore kundërshtuan projektin
Prezantimi i projektit për ndërtimin e Landfilldit për mbetjet e rrezikshme në Rubik ka hasur kundërshti të madhe në disa nga institucionet shqiptare. Kështu, ai është kundërshtuar para pak muajsh në Agjencinë Mjedisore të Lezhës, ndërsa ekspertët e kësaj të fundit kanë shprehur zyrtarisht kundërshtinë e tyre për realizimin e projektit. Ndërkohë që një tjetër aktor i rëndësishëm, si Ministria e Mjedisit, edhe pse i ka dhënë firmës zbatuese lejen mjedisore të projektit, rezulton se ka qenë tërësisht kundër veprimit të saj. Burime nga kjo ministri i kanë konfirmuar gazetës se edhe vetë ministri Xhuveli kur projekti është paraqitur e ka cilësuar atë si të pabazë. Megjithatë, duket se “specialistët” e projektit kanë qenë më “të fortë” edhe se vetë ministri, i cili në fund është tërhequr duke autorizuar lejen mjedisore. Gjithsesi, është e qartë se tashmë që leja është marrë për hedhjen e masivit “të kontaminuar”, bashkë me lejen do të “hidhen” edhe 1.5 milionë euro vetëm e vetëm për të transportuar një masiv krejt normal shkëmbor nga njëra anë e lumit në tjetrën. Normalisht, ky “transferim” nuk do ta kishte kaluar kurrë vlerën e 20 mijë eurove, por paracaktimi i rremë i materialit si i kontaminuar ka rritur vlerat duke e kthyer të gjithë operacionin në një aferë të pastër.
Në vitin 1994, Agjencia e Mjedisit: Uzina në Laç është problemi i vërtetë
“Albania” ka mundur të sigurojë edhe një raport të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në vitin 1994, kohë që përkon edhe me funksionimin e Uzinës së Rubikut. Edhe pse kjo uzinë ishte funksionale (pra lëshonte gazra të pafiltruar), agjencia paracaktonte si tepër emergjente ndërhyrje në Uzinën e Superfosfatit në Laç. “Në sektorin e minierave e të metalurgjisë ndotje të ujit dhe të tokës kanë shkaktuar fabrikat e pasurimit të mineraleve të kromit e të bakrit, si edhe minierat përkatëse, kurse ndotje të konsiderueshme të ajrit me SO2 shkaktojnë Fabrikat e Shkrirjes së Bakrit në Kukës, Rubik e Laç, ku teknologjia e shkrirjes ka mbetur shumë prapa nivelit bashkëkohor. Për më tepër, në Uzinën e Laçit, të projektuar në kombinim me Fabrikën Nr.2 të Acidit Sulfurik, gazi SO2 me përqendrim më të lartë se në uzinat e tjera të shkrirjes shkarkohet drejtpërdrejt në atmosferë, duke qenë se fabrika përkatëse e acidit sulfurik prej disa vitesh nuk funksionon, me pamundësi teknike-financiare për t'u rivënë në punë”, - shkruhet në raportin e vitit 1994, ku dallohet mjaft qartë se, sipas Agjencisë Mjedisore, kur fabrika ishte në gjendje pune, ndotja ishte vetëm në ajër dhe jo në tokë apo në ujë.
29 Shkurt 2008