E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi me kontaminimin, zbardhen elementët natyralë të masivit

Asnjë prej elementëve nuk është toksik. Të dhënat shkencore zbulojnë manipulimin
Habjon Hasani

Për masivin e pretenduar si të kontaminuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Europian, “Albania” ka mundur të sigurojë të dhëna shkencore që nuk flasin vetëm për përbërjen e tij në kohët e sotme, por edhe për përmbajtjen e tij që në kohën kur filloi të shtresëzohej. Të dhënat janë marrë nga buletinë zyrtarë të kohës sipas periudhës përkatëse. Që kur filluan gërmimet në shkëmb për nxjerrjen e bakrit (i cili ndodhet në thellësi të skajshme të malit) ka filluar dhe shtresëzimi dhe ngjeshja e materialit shkëmbor të gërmuar. Ky proces është i ndarë në tri etapa. Etapa e parë filloi në vitin 1936, e dyta në vitin 1946 dhe etapa e tretë rreth viteve ‘70. Sipas të dhënave zyrtare, të gjitha sheshet e furrave të shkrirjes së metalurgjisë në Rubik janë ndërtuar me mbushje sterile të dalë nga Miniera e Rubikut që në vitin 1936. Të dhënat zyrtare dhe përllogaritjet e bëra për këtë shtresë të parë nuk japin asnjë orientim lidhur me përbërjen nga ndonjë komponent kontaminues. Etapa e dytë fillon në vitin 1946, fill pas çlirimit kur filloi të ravijëzohet dhe shtresa e dytë e masivit të sheshpunimit. Këto sheshe u zgjeruan me skorie, e cila dilte nga furrat e shkrirjes së mineralit. Etapa e tretë daton nga mesi i viteve ‘70-të e deri sot. Shtresa e krijuar gjatë gjithë kësaj kohe në sheshpunimin pranë impiantit të përpunimit përmban një sasi të konsiderueshme minierali dhe koncentrati të papërpunuar (të dhënat për të trija shtresat janë dhënë me tabelë).
Vlera
Ajo që është më e rëndësishme është fakti se masivi që projekti i financuar nga BE-ja parashikon ta zhvendosë jo vetëm nuk është i kontaminuar, por përkundrazi ka një vlerë monetare pasi të paktën 12 për qind e tij është bakër, pra valutë. Kësisoj dhe i gjithë operacioni në fjalë jo vetëm që është një projekt i mbështetur mbi të dhëna të rreme, por paralelisht ai është dhe një projekt që “hedh në erë” sasi të konsiderueshme bakri që sot rezultojnë pronë e firmës “Beralba”, e cila ka fituar të drejtën e koncesionarit në këtë zonë. Për më tepër që në këtë masiv të pretenduar si të kontaminuar nuk ka ujëra nëntokësore dhe këtë e vërtetojnë dhe të dhënat e buletinëve zyrtarë. Por specialistët shprehen se edhe sikur të kishte, përmbajtja e masivit nuk i shkakton asnjë kontaminim ujit. Kësisoj dhe “frika” e hartuesve të projektit për kontaminimin e lumit bëhet automatikisht e pavërtetë.

E kaluara
Para viteve '90, si një ndër industritë më të vjetra në vend, industria e bakrit ka funksionuar me cikël të plotë, duke realizuar një shfrytëzim kompleks të lëndës së parë dhe një gamë të madhe produktesh e konkretisht: mineral dhe koncentrat piriti, bakër elektrolitik, bakër vajerbars, tela dhe kabllo, aliazhe bakri, tunxh dhe bronz bllok, fletë tunxhi, acid sulfurik, ar dhe argjend, selen teknik dhe të rafinuar, sulfat bakri, skorie furre e granuluar dhe fraksionuar etj. Treguesit e rentabilitetit të saj varionin 4 deri 6%, ndërsa në fund të vitit 1990, vlera e tij ishte në nivel më të ulët. Vetëm nga metalet e çmuara realizoheshin çdo vit të ardhura neto rreth 1,5 deri 2 milionë dollarë, pa marrë parasysh faktin se disa sektorë të ekonomisë, e në veçanti industria e prodhimeve artistike, furnizohej me fletë tunxhi e argjend, nga Uzina e Bakrit Rubik, prodhimet e të cilës ishin mjaft të preferuara për tregun vendas dhe eksport.

BOX
Rezultatet: përmbajtja e masivit asnjë gram i kontaminuar

Shtresa 1- 1936-1946

Sio2 12-24%
Fe 25-35%
S 10-36%
Zn 0.2-1.5%
Al2O3 3-8%
CaO 2-6%
MgO 1-2%

Elementët janë të gjithë konform normave ndërkombëtare

Shtresa 2 1946-1975

SiO2 35-37%
Fe 33-34%
S 1%
Zn 0.5-0.7%
Al2O3 4-7%
CaO 6-9%
MgO 2-3%
Cu 0.2-0.3%
Elementët janë të gjithë konform normave ndërkombëtare

Shtresa 3, 1975-2008

Cu 8-12%
SiO2 6-9%
Fe 30-33%
S 25-32%
Zn 4-6%
Al2O3 2.5-3%
CaO 1.5-3%
MgO 0.4-0.5%
Co 0.005-0.008%
Elementët janë të gjithë konform parametrave të lejuar

Absurdi, masivi i “kontaminuar” të depozitohet 50 metra nga Ujësjellësi i Rubikut

I gjithë ngurrimi i disa institucioneve shqiptare për miratimin e këtij projekti përtej falsitetit të të dhënave shkencore konsistonte dhe në një fakt tjetër jo më pak të rëndësishëm. Ndërsa projekti përcaktonte masivin si të kontaminuar, ai parashikon që ta zhvendosë në Llandfillin e ri (në anën tjetër të lumit), vend ky që më parë përdorej për depozitimin e skorieve të fabrikës. Por prej disa vitesh në 50 metra distancë nga ky Llanfilld është ndërtuar një stacion pompimi që furnizon me ujë gjithë qytetin e Rubikut. Kësisoj, del qartë dhe paradoksi që lënda e kontaminuar “helmon” lumin Fan, por nuk helmon dot stacionin e pompimit. “Albania” ka mësuar se kur një prej ekspertëve të Agjencisë Mjedisore të Lezhës u parashtroi këtë absurditet prezantuesve të projektit, këta të fundit nuk kthyen asnjë përgjigje, ndërsa disa ditë më vonë prezantuesit e projektit kanë pranuar paradoksin duke siguruar ekspertët mjedisorë në Lezhë se kjo punë ishte “kopsitur” në Tiranë, kështu që ata do ta kishin të kotë të bënin rezistencë. Megjithatë, janë vetë ministritë shqiptare që në vitin 2002 hartuan një plan të gjerë për përcaktimin e zonave të ndotura dhe në rrezik në Shqipëri, ndërsa ky masiv nuk rezulton kurrkund, edhe pse sot pritet të kushtojë 1.5 milionë euro zhvendosja e tij.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›