Rusia: “Pavarësia e Kosovës do të ndikojë në politikën e jashtme ruse”
Shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ndikojë në politikën e jashtme ruse. Këto janë deklaratat e zyrtarëve rusë, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë ekzistencën e shtetit të ri.
Rusia zyrtare ka mohuar të ketë bërë ndonjë marrëveshje sekrete me Gjeorgjinë në lidhje me statusin e rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore në Gjeorgji. Ministria e Jashtme e Rusisë iu përgjigj thënieve të disa zyrtarëve gjeorgjianë se Moska kishte premtuar se nuk do ta njihte pavarësinë e dy rajoneve. Premtimi ishte bërë gjatë takimit midis Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me kolegun e tij gjeorgjian. Ministria gjithashtu hodhi poshtë se ishte ndonjë marrëveshje për kontrolle të përbashkëta përgjatë kufijve me Osetinë dhe Abkazinë. Deklarata bën të ditur se Moska është e vendosur për një zgjidhje paqësore të konflikteve në Gjeorgji. Në të thuhet se deklarimi i njëanshëm i pavarësisë nga Kosova do të ndikojë te politika e jashtme e Rusisë. Abkazia dhe Osetia e Jugut deklaruan pavarësinë nga Gjeorgjia në vitet 1990, duke krijuar një konflikt të armatosur ndërkohë që asnjë vend nuk e ka njohur pavarësinë e tyre.
29 Shkurt 2008