Jaka i bie shkurt

TIRANË - Priti seancën e parë gjyqësore për të kërkuar që në fillim të saj gjykim të shkurtuar. Nikolin Jaka, ish-zëvendësministër i Transportit, pas ankesave dhe kundërshtimeve të vazhdueshme se po mbahej në burg pa prova dhe fakte, ditën e djeshme zgjodhi t’i bjerë për shkurt, duke kërkuar të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit. Të njëjtën kërkesë bënë dhe 8 të arrestuarit e tjerë të operacionit “Duart e pastra”, zhvilluar nga njësia “Task Force” antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, në muajin shtator të vitit të shkuar. Kërkesa e 9 të pandehurve që vazhdimisht kërkonin revokimin e masës së sigurisë, u pranua edhe nga dy prokurorët e çështjes, Ardian Braho dhe Julian Xhengo, por do të jetë gjykata, ajo që do të shprehë vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën për vazhdimin e procesit me gjykim të shkurtuar. Sipas burimeve nga Gjykata e Tiranës, bëhet me dije se trupi gjykues do të vendosë për vijueshmërinë e njërit nga proceset më të bujshëm, pasi të ketë studiuar aktet hetimore. Gjykata e konsideron si tepër të rëndësishme këtë fazë, pasi nëse vendos të procedojë më tej me gjykim të shkurtuar, seancat e ardhshme do të zhvillohen mbi bazën e akteve të paraqitura nga prokuroria rreth dy-tri javë më parë, kur përfundoi dhe mbyllja e hetimit. Në përfundim të hetimit, prokuroria ndryshoi akuzën për ish-zëvendësministrin e Transporteve, i cili më 17 shtator të vitit të shkuar u arrestua me akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë aktivitet publik”. Pas një hetimi që zgjati rreth 7 muaj, prokuroria konkludoi se mbi Jakën rëndon akuza “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojë funksione publike”, vepër e cila parashikon dënimin maksimal deri në dy vjet burg. Duke iu referuar periudhës së paraburgimit dhe mundësisë së pranimit të gjykimit të shkurtuar nga gjykata, i cili automatikisht ul me një të tretën masën e dënimit, rezulton se Nikolin Jaka nuk duhet të kalojë dhe shumë kohë në qeli. Një tjetër lëvizje shpresëdhënëse është dhe shqyrtimi i kërkesës për revokimin e masës së sigurisë që ish-zëvendësministri ka bërë nëpërmjet avokatëve mbrojtës. Një kërkesë e tillë ngeli pezull nga gjykata, pasi gjyqtarja që firmosi urdhër-arrestet për 9 ish-zyrtarët e lartë të Transporteve, shpalli moskompetencë në momentin që dosja hetimore u dorëzua në gjykatë. Nikolin Jaka, Bashkim Kamberi, Alban Qafa, Arian Sheti, Enton Resuli, Ilirian Berzani, Xhevahir Muçogllava, Skënder Bokçiu dhe Isuf Ukperaj u arrestuan më 17 shtator të vitit të shkuar për abuzime me tenderët në bashkëpunim.