E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon Matura Shtetërore

TIRANË - Këtë vit, programi i Maturës Shtetërore do të jetë ndryshe për maturantët e shkollave të mesme profesionale dhe social-kulturore. Ministria e Arsimit ka përcaktuar që në Maturën Shtetërore 2008, maturantët e këtyre shkollave të japin si provime të detyruara të Maturës Shtetërore lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikë. Sipas zëdhënëses së dikasterit të Arsimit, Ermelinda Muho, “nxënësit e këtyre shkollave i zhvillojnë këto lëndë në vitet e para, të dyta dhe të treta të shkollimit të tyre, ndërsa në shkollat 5-vjeçare ka disa degë që i zhvillojnë këto lëndë edhe në vitin e katërt”. Në këtë mënyrë, këta nxënës duhet të testohen në lëndët e gjuhë-letërsisë dhe matematikës, me qëllim përftimin e një kulture të përgjithshme në përshtatje me zhvillimet e sotme. Sipas MASH-it, nuk bëhet fjalë për diskriminim të këtyre nxënësve, në krahasim me gjimnazistët e tjerë, pasi ata do të kenë një koeficient po aq favorizues për fakultete të tjera, që ua jep pikërisht provimi në fjalë. Këto shkolla kanë marrë që në tetor 2007 programet orientuese që përfshijnë konceptet kryesore të lëndëve, ndërsa maturantët e tjerë i kanë marrë këto programe në mars të këtij viti. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, MASH-i ka nxjerrë udhëzimin, i cili cakton një mësues që do të bëjë konsultime një orë në javë për lëndët e letërsisë dhe matematikës dhe do të paguhet nga shteti me orë plus. Dje u bë gjithashtu e ditur edhe përqindja e notave të provimeve të detyruara për shkollat e mesme profesionale dhe social-kulturore. Në shkollat profesionale, letërsia do të ketë 15 për qind, ndërsa matematika do të ketë 25 për qind të peshës së pikëve të maturës. Në shkollat social-kulturore, përjashtuar shkollat pedagogjike, lënda e letërsisë dhe e gjuhës shqipe do të ketë 25 për qind, ndërsa matematika do të ketë 15 për qind të peshës së pikëve të maturës. Pikët që duhen për t’u kualifikuar për në shkollën e lartë përbëhen nga pesë komponentë: mesatarja e shkollës së mesme 20 për qind, provimi i parë i detyruar D1, gjuhë-letërsi 20 për qind; provimi i dytë i detyruar D2, matematikë 20 për qind; provimi i parë me zgjedhje 20 për qind dhe provimi i dytë me zgjedhje 20 për qind. Maturantët e shkollave profesionale të profilit social apo natyror do ta ndajnë 40 përqindëshin e provimeve të detyruara sipas përqindjeve të mësipërme. Maturantët e shkollave profesionale dhe social-kulturore që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike, do të japin vetëm dy provime: Nxënësit e shkollave profesionale japin provim lëndën e matematikës, si provim i Maturës Shtetërore dhe provimin shkollor, “teori dhe praktikë profesionale”. Ndërsa nxënësit e shkollave social-kulturore japin provim lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe, si provim i Maturës Shtetërore dhe provimin shkollor, “teori dhe praktikë profesionale”.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›