E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Hetoni pavarësisht statusit politik

TIRANË - Ambasada amerikanë në Tiranë shpreh mbështetjen maksimale për hetimin e plotë dhe të paanshëm të tragjedisë së Gërdecit. Në një seminar zhvilluar ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme, ambasadori Xhon L. Withers II e cilësoi si tepër të rëndësishëm këtë hetim dhe kërkoi që të nxirren përgjegjësit, pavarësisht se kush është i përfshirë në të, duke dhënë kështu një mesazh të qartë se gjithë personat e implikuar në tragjedinë e 15 marsit, ku u regjistruan 24 të vdekur dhe qindra të plagosur, do të vihen para drejtësisë. “Dua të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç’drejtim apo se kush është i përfshirë. Vetëm kjo do të rivendosë besimin publik në institucionet shqiptare të drejtësisë”, - u shpreh Withers me rastin e nisjes së seminarit mbi “Teknikat e hetimit financiar”. Në fjalën tij, ambasadori amerikan në Tiranë i kërkoi politikës të qëndrojë larg këtij procesi, si dhe këshilloi gjykatën që të japë një vendim të drejtë, pavarësisht lidhjeve politike të personave që janë implikuar në tragjedinë e Gërdecit. “Prokuroria e Përgjithshme për të gjetur të dhënat për kundravajtje, shpresoj që nuk do të hasë asnjë ndërhyrje politike të asnjë lloji. Më tej, shpresoj që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze dhe që çfarëdo vendimesh që mund të jepen nga gjykatat shqiptare, të jenë në përputhje me krimet, pavarësisht statusit apo lidhjeve politike të kriminelëve”, - u shpreh ambasadori amerikan. Gjithashtu, Withers shprehu shqetësimin lidhur me menaxhimin e vendit të shpërthimit, i cili sipas tij ka ende rrezik potencial për jetën e banorëve. “Ekspertët tanë e kanë këshilluar qeverinë që ekzistojnë çështje të sigurisë, që mund të çojnë në lëndime të mëtejshme, nëse nuk ndërmerren ndryshime. Specifikisht, zona është ende e mbushur me municione të pashpërthyera, një pjesë e madhe e tyre nën sipërfaqe, dhe shumica e shtëpive në zonën e shpërthimit kanë pësuar dëme serioze strukturore. Ekzistojnë gjithashtu rreziqe mjedisore, që janë ende për t’u analizuar. Për këtë arsye, këshilloj kundër lejimit të banorëve vendas, që të rikthehen në shtëpitë e tyre para kohe. Kthimi tepër herët është si të afrosh rreziqe serioze për njerëz që tashmë kanë vuajtur shumë”, - përfundoi fjalën e tij përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Ndërsa kryeprokurorja Ina Rama, duke anashkaluar tërësisht hetimin që po zhvillojnë vartësit e saj për këtë çështje, u përqendrua kryesisht mbi ndihmën që SHBA-të po japin për zbardhjen e plotë të ngjarjes së Gërdecit. “Një ndihmesë e madhe për zbardhjen e kësaj çështjeje mendojmë se do të jenë edhe të dhënat e kërkuara nga organet e drejtësisë së SHBA-ve, rreth kompanisë amerikane “South Ammunition Company”, si dhe çdo kërkese tjetër, e cila mund të rezultojë e nevojshme në vijim të hetimit”, - tha kryeprokurorja Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›