Jakshiç: Beogradi na tradhtoi

Në Leposaviç, takimi i përbashkët i përfaqësuesve të katër komunave paralele është ndërprerë dhe nuk dihet a do të vazhdojë, njofton agjencia e lajmeve Kosovapress.
Njëri ndër liderët e serbëve lokal, Marko Jakshiç tha se serbët e Kosovës janë kundër marrëveshjes mes Tadiçit dhe Thaçit.
Ai ka akuzuar autoritet e Beogradit për tradhti ndaj serbëve të Kososvës.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daciç, ka thënë se “Serbia duhet t’ia dërgoj një mesazh të qartë bashkësisë ndërkombëtare se e do paqen me shqiptarët, por se ata, siç tha ai nuk duhet të provokojnë serbët dhe të fshihen pas “vëllait të madh”.
E megjithatë, situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, ndërsa pikat kufitare 1 dhe 31 vazhdojnë të kontrollohen nga forcat paqeruajtëse të NATO-s. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti konfirmoi për Radio Kosovën se gjatë natës së kaluar nuk është regjistruar ndonjë rast që do të prishte qetësinë e krijuar.
Zëdhënësi Hoti, po ashtu, ka përgënjeshtruar mediat serbe të cilat kanë thënë se rruga në fshatin Prelluzhë, ku ka filluar ndërtimi i urës së re, e cila do të lidhë 12 fshatra të këtij rajoni, është bllokuar nga disa protestues serbë. Ai tha se serbët e mbledhur në afërsi të këtij objekti janë pasiv dhe nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim që do të pengonte punën.
“Edhe gjatë ditës së sotme kemi një tubim diku prej 50 peronave të përkatësisë etnike serbe, të cilët të cilët në distancë prej rreth 300 metrash larg vendit të ngjarjes ku janë duke u zhvilluar punimet e ndërtimit të urës, në mënyrë pasive, praktikisht, protestojnë ose vështrojnë situatën në terren. Ata thjeshtë kundërshtojnë ndërtimin e urës. Mirëpo, nuk janë duke bërë çfarëdo lloj pengese fizike ose pengesa punë-kryesve në teren”, sqaron Hoti.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, Erhar Byler, u ka shpjeguar mbrëmë banorëve serbë të fshatit Prelluzhë se ndërtimi i urës është në interes të tyre dhe u ka bërë thirrje të mos bëhen pengesë për këtë. Ai tha se nuk ka kurrfarë baze ligjore për të penguar ndërtimin e urës të cilën e quajti “realitet që do të përfundoj”.
Byler u premtoi banorëve serbë se pjesëtarët e KFOR-it do të jenë aty dhe do të kujdesen, siç tha, për sigurinë tyre për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. /rtk/