Jakup, i vonë je
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka nisur një luftë të hapur me bashkëpartiakët e tij.
Arena sërish u bë Kuvendi i Kosovës, ku të enjten në shënjestër të Krasniqit ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Shkak i përplasjes më të ishte urdhri i dhënë nga ministri për intervenimin e Policisë së Kosovës për largimin e aktivistëve të Vetëvendosjes të mërkurën nga ndërtesa e Qeverisë si dhe prania përreth ndërtesës së Kuvendit të enjten.
Ai kritikoi Rexhepin duke ia kërkuar edhe dorëheqjen.
“Ai që ka përgjegjësi për këtë duhet edhe me e tregu njëherë e përgjithmonë atë përgjegjësi”, tha Krasniqi gjatë seancës.
Kritikat e tij nuk u pëlqyen nga Rexhepi, i cili edhe kërkoi fjalën.
“Sot Kryetari i Parlamentit, zoti Jakup Krasniqi duke keqpërdorur në mënyrë flagrante pozicionin e tij ...”, por këtu edhe mbaroi fjalimi i tij.
Me të filluar kritikat ndaj tij, Krasniqi kërkoi nga regjia që t’i ndërpritet mikrofoni Rexhepit.
Në shenjë revolte për këtë, Grupi Parlamentar i PDK’së lëshoi seancën.
Largimi i bashkëpartiakëve të tij mori edhe reagimin e Krasniqit, i cili e quajti Rexhepin rrugaç.
“Udha e mbarë u koftë, po përndryshe Ministri u dashtë me dhanë dorëheqje pa i thanë ne po keni dashtë ministra rrugaçë, ua pafshit hairin”, iu drejtua Krasniqi Grupit Parlamentar të PDK’së derisa këta të fundit lëshuan sallën parlamentare.
E duke dalë nga salla një fjalë nuk e ka la pa e thënë edhe Adem Grabovci. Ai ka kërcënuar Kryeparlamentarin me shkarkim.
“Nëse i bën 80 vota, shkarkomë”, iu përgjigj Krasniqi.
Bajrami Rexhepi pas kësaj thirri një konferencë për media në të cilën përmes foltores qeveritare ia dha përgjigjen Krasniqit.
“Jo, as që e kam ndërmend të jap dorëheqje. Unë e kam një mision këtu që ta zbatoj ligjin me përpikëri, kishin pas shumë individë qejf me një anarki këtu që të zbehet lufta kundër krimit e korrupsionit, që të jap dorëheqje unë këtu, por jo. Vetëm Kryeministri mund të më shkarkojë ose mua nëse më mbushet mendja”, tha Rexhepi.
Ndërkohë, veprimet e fundit të Krasniqit në Kuvend tha se vijnë pas disa aleancave të përkohshme politike që kryeparlamentari po i krijon me subjekte tjera politike.
“Është turp, edhe njëherë po e përsëris është turp të tentohet të manipulohet me ndjenjat e qytetarëve, është turp të krijohen insinuata, Parlamenti është sovran, është turp të shpifet në këtë sallë, është turp t’i njollosësh institucionet më kredibile të shtetit të ri të Kosovës. Është e papranueshme që refrenet që dëgjohen dhe prodhohen nga oponentët e shtetit tonë të përsëriten në këtë sallë të Kuvendit”, tha ministri.
E duke folur për përplasjet e fundit ndërmjet Krasniqit dhe anëtarëve të tjerë të PDK’së, Rexhepi madje u kujtua t’ia përmend kolegut të tij kontributet dhe meritat në luftën, pjesë e së cilës ishin që të dy.
“Zoti Krasniqi duhet ta shikojë pozicionin e vet, pavarësisht se është Sekretar i partisë, unë jam një ndër nënkryetarët e parë, edhe nëse hyjmë edhe ma thellë sado që asnjëherë nuk kam dashur të flas për luftën, por duhet të them edhe këtë që zoti Krasniqi në luftë është goxha i vonuar. Dua t’ia kujtoj se unë jam aty prej dhjetori të 96 e ai është në 99 dhe e kemi një dallim derisa ai ka shkruajtur kumtesa nga bunkerët, unë kam qenë i ekspozuar ndaj minahedhësve dhe gulinovave. Tash e shfrytëzoj rastin ta them që të mos krijojmë mite të rrejshme”, ka thënë Rexhepi.
Ndaj urdhrit të Ministrit Rexhepi për intervenimin e Policisë së Kosovës ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes të mërkurën kanë reaguar edhe deputetët parlamentarë.
Ndryshe, në mëngjesin e së enjtes në ndërtesën e Kuvendit janë parë trupa të shtuara të policisë, gjë që ka bërë që Kryeparlamentari Krasniqi ta ndërpresë seancën plenare, derisa të largohen policia nga ndërtesa.