Rexhepi: Krasniqi aleat i Opozitës

Rexhepi ka thënë se reagimet e Kryeparlamentarit vijnë pas aleancave politike të Krasniqit me disa parti politik, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka akuzuar Kryetarin e Kuvendit se po keqpërdor institucionin më të lartë shtetëror.
“Kryetari i Kuvendit ma ka mohuar të drejtën për të reaguar ndaj kritikave që më i ka dhënë, duke keqpërdor foltoren e Kuevendit dhe duke akuzuar për diçka që nuk ka qenë fare e vërtetë”, ka thënë Rexhepi.
“Është veprim i turpshëm i tij në Kuvend”, ka shtuar ai.
Ministri Rexhepi i është përgjigjur edhe thirrjes së Krasniqit për të dhënë dorëheqje.
“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje”, ka thënë ai.
Ish-Kryeministri Rexhepi ka folur edhe për luftën dhe meritat që po merren në emër të saj.
Rexhepi ka thënë se në luftë ka qenë prej vitit 1996, ndërsa Jakup Krasniqi prej vitit 1999.
“Në kohen kur ai ka shkruar komunikata nga bunkerët, unë kam qenë i ekspozuar në front ndaj rreziqeve të minahedhësve dhe gulinovave”, ka shtuar ai.
Krasniqi e quan rrugaç Bajram Rexhepin
Partia Demokratike e Kosovës ka braktisur punimet e Kuvendit të Kosovës, pas polemikave në mes të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci i ka thënë Krasniqit se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës përderisa ai i largon nga salla ministrat.
“Unë s’kam faj që keni sjell ministra rrugaç, Ai tashmë është dashur të jap dorëheqje”, deklaroi Krasniqi.
Grabovci ka kërcënuar kryeparlamentarin me shkarkim, ndërsa i fundit i ka thënë atij se për shkarkimin e tij duhen 80 vota.
“Nëse i bën 80 vota shkarkom”, ka thënë Krasniqi.
Derisa ministri Rexhepi tha se Krasniqi po keqpërdor pozitën e tij, ky i fundit tha se ministri dëshiron të bëhet mbret i Kosovës.
Derisa, ministri i Punëve të Brendshme tha se kryeparlamentari Krasniqi ka keqpërdorur në mënyrë flagrante pozitën e tij, menjëherë ka reaguar kryeparlamentari Krasniqi duke ia ndërprerë fjalimin ministrin Rexhepi, duke i thënë se nëse nuk sillet mirë, nuk guxon të hyjë në kuvend.
“Jep urdhra këtu, unë jam shef i kuvendit dhe nëse t’i donë me u bo mret i Kosovës, unë jam shef i kuvendit dhe udha e mbarë të qoftë”, i tha Krasniqi, ministrit Rexhepi.
Kurse, ky i fundit së bashku me ministrat tjerë lëshuan sallën e kuvendit, ndërsa Adem Grabovci ka thënë se pas kësaj situate nuk sheh pse të vazhdohet seanca.
Seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë nesër.
Deputetët i kërkojnë llogari ministrit Rexhepi
Për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ka bërë që të reagojnë edhe partitë opozitare, duke e vlerësuar si shkelje e demokracisë në Kosovë. Për këtë veprim edhe Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri do të kërkojë llogaridhënie nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se qëndrimi i partisë është se deklarimet e djeshme të ministrit në seancë janë një kërcënim i drejtpërdrejt për demokracinë e Kosovës.
Sipas tij, kërcënimi i ministrit të Punëve të Brendshme se nuk guxon askush t’i dal përpara: as deputetët, as kryetari i parlamentit, as presidentja dhe as qeveria, është një kërcënim që rrezikon demokracinë.
“Dje ka qenë i rrethuar i gjithë kuvendi dhe ka qenë e vështirë qasja. Po ashtu, edhe sot kur unë kam ardhur në 8 e 30 në kuvend ka pas policë gjithandej, ka pas diku mbi 15 në hyrjen e kuvendit të stacionuar, po ashtu edhe brenda. Prezencën e tyre unë nuk e di”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se kjo po tregon një tendencë uzurpuese ndaj institucioneve publike.
“Kryetari i ka dal në mbrojtje Kuvendit ashtu siç i takon. Ai ishte në rregull në fjalën që e tha. Sot Kuvendi ka më shumë policë e truproje sesa deputetë, madje këta policë pengojnë deputetët të hyjnë në institucione publike. Fjala e kryetarit është një thirrje dhe ajo thjesht duhet të përfillet nga qeveria, që po e tregon një tendencë autokracie dhe uzurpuese ndaj institucioneve publike”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa, kryetari i Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të funksionojë si institucion me përgjegjësinë që e ka dhe askush nuk duhet të ndërhyjë në punën e tij.
Isufi ka thënë se duhet pasur kujdes me ndërhyrjen Policisë së Kosovës në Kuvend, pavarësisht nga kush janë urdhëruar, pasi që, siç ka thënë ai, Kuvendi është organi më i lartë shtetëror i cili duhet të punojë në bazë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Për më tepër, ai ka thënë se Komisioni do të kërkoj llogaridhënie nga ministri Rexhepi për këtë urdhër.
“Ne do ta shqyrtojmë në komision ndërhyrjen e policisë dhe veprimet të cilat kanë ndodhur. Unë e thashë dhe po e them se detyrë e ministrit është të bëjë politikat e ministrisë dhe jo të marrë detyrën operacionale të policisë, sepse janë detyra të ndara”, ka theksuar Isufi.
Zyrtari i AAK-së nuk i di arsyet e ndërhyrjes së policisë, por ka thënë se ministri duhet ta sqarojë pse në mëngjes, pa asnjë nevojë, kanë qenë forcat e sigurisë në Parlamentin e Kosovës.
Ndryshe, në mëngjesin e sotëm, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ka pasur forca të shtuara të policisë, gjë që ka bërë që kryeparlamentari Krasniqi ta ndërprejë seancën plenare derisa të largohen policia nga ndërtesa. Pas një ore seanca ka vazhduar punimet./kosovapress/
Miratohet Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash Rezolutën ër normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Rezolutën e kane mbështetur shumica e deputeteve, përveç atyre te Lëvizjes Vetëvendosje.
Rezoluta parasheh një proces normalizimi të raporteve me Serbinë, duke zgjidhur të gjitha çështjet kontestuese midis dy shteteve sovrane.
“68 vota për, 4 abstenime, tre kundër, Kuvendi miratoi Rezolutën për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka lexuar rezultatin kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti.
Ndryshe, gjatë debatit rreth rezolutës, kundër nismës për të normalizuar raportet me Serbinë kanë dal deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse shumica e deputetëve të LDK’së dhe AAK’së kanë përkrahur rezolutën.
Me këtë veprim të Kuvendit i hapet rruga Qeverisë së Kosovës të nis dialogun politik me Serbinë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
Në përmbajtjen e rezolutës thuhet se Qeveria e Kosovës nuk mund të flas me Serbinë për integritetin territorial të Kosovës dhe as për ndonjë status të veçantë për Veriun.
Rexhepi nuk e sqaron prezencën policore rreth Kuvendit
Deri në mesditë Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi nuk i ka dhënë ndonjë përgjigje kryetarit të Kuvendit për arsyen e prezencës së njësive speciale në Ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka sqaruar çështjen e prezencës policore sot rreth Parlamentit të vendit.
Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi i kontaktuar nga Radio Kosova nuk ka dashur të përgjigjet rreth reagimit të kryetarit të Kuvendit se ministri ka urdhëruar rrethimin policor të Kuvendit.
Rexhepi me nervozizëm është përgjigjur se nuk ka çka të komentojë.
“Nëse kam çka them thërras konferencë për media, mos më lodhni tash”, ka thënë Rexhepi për Radio Kosovën.
Përgjigje rreth dërgimit të njësisë speciale të policisë nuk ka dhënë as drejtori i policisë Shpend Maxhuni dhe askish nga zyrtarët e tjerë të policisë së Kosovës.
Kuvendi vazhdon seancën
Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet pas një shtyrje diku një orëshe për shkak të pranisë së policëve brenda hapësirave të Kuvendit.
Kërkesën për largimin e policëve e bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në fillim të seancës tha se nuk janë respektuar rregullat procedurale meqë nuk është kërkuar leje nga ai.
Shtyhet seanca e Kuvendit, Krasniqi kërkon largimin e policisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme që të largojë forcat policore nga ndërtesa e Kuvendit, në mënyrë që seanca të vazhdoj punimet.
Ai për këtë ka kërkuar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme të japin përgjegjësi, pasi që si ka thënë ai Kosova nuk është shtet policor.
Që në fillim të seancës plenare kur është planifikuar të nisë punimet seanca me propozim-rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kryetari Krasniqi nuk ka lejuar që të vazhdojnë punimet përderisa nuk largohen njësitë policore nga ndërtesa e kuvendit.
Sipas tij sot Policia e Kosovës ka hyrë pa urdhër të kryetarit gjë që nuk është e lejueshme.
“Nuk jemi këtu për të duartrokit për asnjë urdhër policor. Sot policia ka hyrë në Kuvend pa dijeninë e kryetarit. I bëjë thirrje ministrit dhe kabinetit qeveritar që pa urdhrin e kryetarit që asnjë polic të mos hy në Kuvend. I bëjë thirrje kabinetit qeveritar dhe kryeministrit që ato djem e vajza që janë për të mbrojtur demokracinë, identitetin e vet të mos përdoren për interesa private”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari ka thënë se nuk guxon ministri të jap kësi urdhra deri edhe burgosjen e presidentit.
“Ky vend nuk ka vend për shtet policor, ky vend ka nevojë për demokraci dhe jo Bajram Rexhepi të burgos edhe presidentin. Institucionet janë të ndara. Një ministër nuk mund të urdhëron asnjë polic të hyjë në kuvend të Kosovës dhe është hera e fundit dhe për ministri duhet të jap përgjegjësi. Policët që kanë rrethuar, nuk e di me çfarë urdhri, por Kuvendi nuk mund të mbajë seancën plenare dhe unë kërkoj që kuvendi të shkoj në një pauzë një orëshe deri sa të hiqen forcat policore”, ka deklaruar Krasniqi. /Kosovapress/