Zbulohet shtëpia e prostitutave
DURRES/ OERD ULQINI"Banesa 21". Kështu quhej apartamenti me "drita të kuqe", ku konsumoheshin akte seksuale kundrejt pagesës në lekë ose valutë. Bëhej fjalë, për një shtëpi të ndodhur në lagjen numër 6 të Durrësit, në të cilën prej të paktën një viti, burri shfrytëzonte si prostitutë gruan e tij dhe një mikeshë të saj. Në kërkim policor është shpallur 60-vjeçari Mexhit Këputa, i lindur në Mat, por rezident në Durrës. Operacioni i koduar policor që shkatërroi këtë bazë prostitucioni, mori të njëjtin emër me numrin e apartamentit, (Banesa 21) ku një akt seksual vlente 1500 lekë të rinj, ose i konvertuar në valuta të ndryshme botërore 10 paund, 12 euro ose 15 dollarë. Gjithçka ishte llogaritur në detaje edhe në rastet kur klienti emigrant nuk kishte lekë shqiptare, ai mund të paguante qefin në euro, dollarë apo paund britanik. Sipas hetuesve, 60-vjeçari Këputa është personi i dyshuar si tutor i dy femrave, njëra prej të cilave ishte bashkëshortja e tij, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Agjentët e infiltruar kishin zbuluar prej ditësh rrjetin, por prisnin vetëm çastin për të vepruar në kushtet e flagrancës. Pas një kontrolli të befasishëm të kryer në orën 24:00, hetuesit kanë kapur në flagrancë dy shtetaset L. Këputa 42 vjeç,(nusja e tutorit) dhe mikeshën e saj nga Durrësi shtetasen Xh.B. 55 vjeç. Mbi dy gratë është vendosur hetimi në liri ndaj akuzës "ushtrim prostitucioni", teksa janë falur klientët e rastësishëm me të cilët po konsumohej orgjia. Policia i ka konsideruar gratë si viktima të rrjetit, nisur edhe nga deklarimet e tyre në hetuesi, ku kanë thënë se kanë qenë të detyruara për shkak të presioneve. Por hetuesit e antitrafikut nuk gjetën në banesë tutorin e dyshuar Këputa, i cili për një rrethanë të rastësishme nuk ndodhej në shtëpi. Mbi Mexhit Këputën qarkullon një mandat arresti i prerë në mungesë nga gjykata e Durrësit, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit "arrest në burg" për veprën penale "Shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese". Duket se, teksa ka nuhatur policinë në "Banesën 21", tutori është larguar për t'i shpëtuar përballjes me drejtësinë. Por ndonëse personi kryesor është akoma në kërkim, bilanci i operacionit është mbresëlënës. Policia ka sekuestruar në vendngjarje shumën prej 125 000 lekëve të rinj, si dhe një sasi valutash botërore në masën 70 euro, 11 dollarë amerikanë dhe 20 paund britanik. Veç parave janë sekuestruar edhe një sasi rekord prej 132 prezervativësh, 2 pako kontraceptivë oralë, një armë gjahu, tre aparate celularë etj. Sipas të dhënave të mbledhura në terren mendohet se "shtëpia e kuqe" ushtronte aktivitetin prej të paktën një viti. Burime policore saktësuan se asnjëri prej tre personave nën hetim nuk kishte pasur më parë precedentë penalë.