Janar, ulen çmimet e karburanteve, u rritën të ushqimeve
Shtrenjtohen çmimet e mallrave ushqimorë. Gjatë muajit janar konsumatorët kanë shpenzuar më shumë para se një muaj më parë për të blerë mallra të konsumit të përditshëm. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend, gjatë muajit janar indeksi i çmimeve të konsumit, arriti 102.6 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e kaluar. E thënë ndryshe, gjatë muajit janar konsumatorët kanë shpenzuar më shumë para nga buxheti i tyre familjar për të blerë të njëjtat mallra si një muaj më parë. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor në muajin janar është 2.1 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.0 për qind. Pra, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i inflacionit në janar të këtij viti ishte më i ulët. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, rritjen më të lartë e kanë pasuar çmimet e mallrave ushqimorë dhe pijet joalkoolike. Gjatë këtij muaji rritje kanë pësuar çmimet e frutave-perimeve. Më shumë para kanë shpenzuar edhe duhanpirësit. Sipas INSTAT-it gjatë janarit çmimi i pijeve alkoolike dhe i duhanit ka pësuar rritje me 0.7 për qind. Ndërkohë çmimet e karburanteve kanë pësuar rënie. Ndërkohë çmimi i naftës shënoi një ulje prej 8.9 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 6.4 për qind. Një rënie e tillë ka ardhur si pasojë e uljes së çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare. Rënie kanë pasuar edhe çmimet e veshjeve dhe këpucëve me 1.3 për qind.
Çmimet
1.5 për qind janë rritur çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike 13.7 për qind janë rritur çmimet e zarzavateve 3.8 për qind janë rritur çmimet e frutave 1.1 për qind janë rritur çmimet e pijeve alkoolike 0.4 për qind është rritur çmimi i duhanit