Ura në rrezik, cungohet fondi
DURRES / OERD ULQINI
Qarku i Durrësit gjen një gjysmë-zgjidhje për projektin rehabilitues të urës së Hardhishtës. Ndonëse paratë kanë shënuar një rritje të ndjeshme në krahasim me 2008-ën, edhe kësaj here një prej projekteve më emergjente, siç është rindërtimi i urës së fshatit Hardhishtë ka mbetur i cunguar.
Këshilli i Qarkut Durrës-Krujë për projektin e rindërtimit të urës ka akorduar një fond prej 2 milionë lekësh, që është sa gjysma e parave të kërkuara nga Komuna e Gjepalajt, më e varfra në qark përsa i përket të ardhurave. Kreu i komunës Gjepalaj, Alfred Greca deklaron se pas kërkesave të shumta në Këshillin e Qarkut është lëvruar ky fond, i cili nuk e zgjidh problemin, që po mbartet prej vitesh për të gjithë komunitetin që rrezikohet nga shembja e urës. Jeta e 850 familjeve të komunës së Gjepalajt kalon çdo ditë në fije të perit. Ata jetojnë me rrezikun e vazhdueshëm, duke përshkuar urën e Hardhishtës. Ky komunitet nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, pasi në të kundërt do të izolohej plotësisht nga pjesa tjetër e qarkut. Mbi 5 mijë banorë të rrethinave të Shijakut e kanë të pasigurt jo vetëm jetën, por edhe komunikimin e tyre me anën tjetër të lumit, pasi ura mbi Erzen ka pësuar dëmtime të rënda. Bëhet fjalë për një vepër arti të ndërtuar që në mesin e viteve ‘70, në kulmin e miqësisë shqiptaro-kineze, bazamenti i së cilës ka pësuar shkarje si pasojë e prurjeve të furishme të lumit. Burime nga Komuna e Gjepalajt ku bën pjesë fshati Hardhishtë saktësojnë se për rindërtimin e kësaj ure nevojiten 1.5 deri në 2 milionë dollarë amerikanë. Por për këtë rikonstruksion lipset më parë një projekt me vlerë 50 mijë dollarësh, i cili nuk është hartuar ende për mungesë fondesh. Përsa i përket rendit të ditës pjesa e mbetur e buxhetit të Qarkut Durrës-Krujë është votuar pa debat. Afro 164 milionë lekë është vlera totale e këtij buxheti. Në krahasim me një vit më parë kur buxheti kapte vlerën e 115 128 000 lekëve, në 2009-ën është vënë re një rritje e ndjeshme. Objektiv kryesor mbetet rikonstruksioni i godinës së Këshillit të Qarkut dhe financimi i studimeve dhe projektimeve në sektorë të ndryshëm.